Deputetët e nisën me një minutë heshtje punën në komisionet parlamentare këtë të martë, në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Ngjarja e rëndë në Gjykatën e Apelit ku gjyqtari Kalaja u qëllua në sallën e gjyqit dominoi diskutimet gjatë raportimit në kuvend të avokatit të popullit.
“Sado që kemi ngritur zërat për problematikat në Komision e Ligjeve, apo në raportet që ka bërë Avokati i Popullit, për ecurinë e Reformës në Drejtësi, ne nuk ia kemi dalë që të jemi pranë gjyqtarëve, të cilët kanë përjetuar një stres të jashtëzakonshëm, për shkak të procedurave por edhe për shkak të ngarkesës me dosje të papërballueshme për kapacitetet njerëzore.”
Avokatja e popullit tha se problem mbeten vonesat në zbardhjen e vendimeve gjyqësore ndërsa kërkoi më shumë kushte dhe siguri për institucionet e drejtësisë për të shmangur ngjarje të tilla.
“Mendoj se ka ardhur koha që të mbështesim gjyqtarët dhe të përshtatim kushtet e punës për ta. Dhe këtu nuk flasim vetëm për pagën, të cilën pjesërisht e kemi arritur. Por duhet ti krijojmë kushtet që të punojnë në një realitet të përshtatshëm. Sepse janë të mbingarkuar me dosje”
Ndërsa deputetet theksuan domosdoshmërinë e rritjes së sigurisë për gjyqtarët, edhe si një garanci për pavarësinë e sistemit të drejtësisë./abcnews.al

