Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi komentoi në emisionin ‘Opinion’ krizën në Partinë Demokratike dhe dorëheqjen e Lulzim Bashës. Bylykbashi tha se palët mund të negociojnë vetëm kur nuk kanë mundësi që gjërat të zgjidhen me votë.
“Çfarë do të thotë të negociojmë mes nesh? Kur ke mundësinë e votës, ti nuk negocion. Histori e demokratëve. Demokratët kanë vendosur dhe janë dakord me 11 dhjetorin, u vërtetua më 6 mars. Ndërkohë ka një ‘migracion’ të fortë të anëtarësisë.”-tha Bylykbashi.
Për deputetin demokrat, zgjidhja e krizës në PD është vetëm përmes votës. Ai deklaroi se nga niveli më i ulët e deri tek ai më i lartë brenda partisë do të zgjidhen vetëm nëpërmjet votës.
“Kemi një proces të hapur që ka një kohë jo të vogël, 30 prilli sa i përket procesit statutor të ngritjes së PD deri te Kuvendi. S’ka një datë të caktuar për kryetarin e partisë, por në të gjitha rastet procesi do shkojmë nëpërmjet votës nga niveli më i ulët te niveli më i lartë. S’ka më sajesa.”-tha Bylykbashi.