Kushtetuesja rrëzoi qeverinë Hoti, nënkryetari i LDK: Në zgjedhje dalim të vetëm

schedule21:23 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 21:23 - 23 Dhjetor, 2020

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka rrëzuar së fundmi qeverinë e Avdullah Hotit duke shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi. Tashmë vendi pritet që të shkojë në zgjedhje.

I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku për emisionin “Ballkan” nëse LDK është gati që të hyjë në zgjedhje, nënkryetari i kësaj partie Ismet Beqiri thotë se një subjekt që ka më shumë se 31 që është krijuar, është gjithnjë gati.

“Për një subjekt të tillë  serioz, që këtë vit bëjmë 31 vite, s’do duhej të shtrohej si çështje, gatishmëria për të shkuar në zgjedhje.  Sepse është edhe obligim i yni, që gjithmonë duhet të jesh i gatshëm. Ne jemi të gatshëm. Problemin më të madh e shohim, se nuk mendojmë se zgjedhjet janë zgjidhje, por do të jenë zgjidhje nëse s’kemi nga t’ia mbajmë, flas për partitë politike sepse ju e dini që në Kosovë është krijuar një situatë edhe pas veprimeve të Gjykatës Speciale, nuk po i analizoj se në çfarë gjendje janë partitë politike, po sidoqoftë ne e kemi obligim, edhe duhet të shkojmë në zgjedhje, me shpresë që mund të prodhojë diçka stabile, në të kundërtën, e bëjmë atë sa për ta bërë dhe nuk do të binim ndonjë zgjidhje, por mbetet të shihet. Si LDK, sidoqoftë jemi të gatshëm.”

Kurse, i pyetur nëse mendon se LDK ka mbyllur gjithçka me Vjosa Osmanin, Beqiri thotë se kjo në fund të ditës mbetet në dorë të saj. Megjithatë, ai thekson se kryesorja është “brand-i” dhe nëse dikush vendos ta lërë, i dëmtuari mbetet ai në fund të ditës, dhe jo logoja.

“Ne si subjekt  politik, edhe si person, jemi munduar me i zgjidh problemet në shtëpi. Nuk mendoj se ikja nga problemet i zgjidh ato. E kemi thënë vazhdimisht, që është e mirëprit në LDK, por është e pamundur me e ndërru mendimin nëse dikush ka pakënaqësi të tilla dhe mendon se nuk mund tëkontribuojë… aty rrugët edhe mund të ndahen. Por mbeten në dorën e saj. Është shumë i rëndësishëm “brand-i”. Nuk është mirë me u nda nga kolegët, nga shokët nga miqtë, se dëmin e pësoni vetë, dëmin nuk e pëson brand-i.”

Në zgjedhjet e ardhshme, LDK do të hyjë e vetme, thotë Beqiri. E më tej, nëse është nevoja do të ketë koalicione pas-zgjedhore, siç edhe pritet të ndodhë për çdo subjekt.

“Si subjekti më i vjetër që jemi, mendoj që kemi përvoja të këqija me disa nga partitë e koalicioneve. Besoj që në zgjedhje do të shkojmë vetëm. Pas zgjedhjeve mund të na jetë dashur që të hyjmë në koalicion, sepse na janë dashur numrat.” s.b/abcnews.al/