Kushtetuesja në Kosovë: Vitia shkeli Kushtetutën duke e futur Prizrenin në karantinë

schedule19:54 - 1 Maj, 2020

schedule 19:54 - 1 Maj, 2020

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vlerësuar sot se ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka shkelur Kushtetutën e vendit, duke futur Prizrenin në karantinë.

Në njoftim thuhet:

“Gjykata me shumicë votash, vendosi se Vendimi [nr. 214/IV/2020] i 12 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, nuk është në përputhshmëri me nenet 35 dhe 55 të Kushtetutës dhe nenin 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së. Gjykata konstatoi se në nxjerrjen e këtij Vendimi, Ministria e Shëndetësisë, ka tejkaluar kompetencat e përcaktuara përmes Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, dhe rrjedhimisht “ndërhyrjet” në të drejtën e lirisë së lëvizjes, përmes karantinimit të të gjithë Komunës së Prizrenit, nuk janë “të përcaktuara në ligj”.

Gjykata qartëson se “karantina” sipas Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, mund të urdhërohet nga Ministria e Shëndetësisë, pas rekomandimit të IKSHPK-së, vetëm për persona fizikë për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejt me personat e sëmurë apo të dyshuar për sëmundje ngjitëse.

Për këtë arsye, thuhet në njoftimin e Kushtetueses, vendimi për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, u shpall jo-kushtetues”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!