Kushtetuesja jashtë funksionit/ Dedja: Të përshpejtohet procedura 

schedule16:19 - 4 Maj, 2018

schedule 16:19 - 4 Maj, 2018

Pas dorëheqjes së një gjyqtari dhe shkarkimit nga vettingu të dy të tjerëve Gjykata Kushtetuese ka dalë jashtë funksioni. Aktualisht ajo vetëm regjistron dosje, të cilat rrinë në pritje. I kontaktuar nga “ABC News”, kreu i Kushtetueses, Bashkim Dedja, apeloi përshpejtimin e procedurave për zëvendësimin e vendeve vakante.

Institucioni duket në një ditë të zakonshme. Por në të vërtetë po kalon një nga fazat më të vështira që nga ngritja e tij.

Aktiviteti thelbësor i gjykatës, shqyrtimi dhe vendimarrja në seanca plenare apo në mbledhje të gjyqtarëve është mision i pamundur.

Shkak i ngërçit është pamundësia për të formuar kuorumin e nevojshëm prej 6 anëtarësh, që duhet të ketë trupa për të dalë në seancë gjyqësore.

Aktualisht në këtë gjykatë ushtrojnë detyrën vetëm katër gjyqtarë nga nëntë që duhet të jenë në kushte normale.

Burime brenda institucionit bënë me dije se aktualisht sekretaria pranë kësaj gjykate pranon dosjet dhe bën regjistrimin e tyre dhe më pas dosjet qëndrojnë në pritje. “Kjo bëhet që palët të mos humbin afatet kohore të përcaktuara”, tha i njëjti burim.

Nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, përsëriti apelin e bërë edhe më herë në qëndrime të tij publike.  I kontaktuar ne telefon nga “ABC News” Dedja theksoi: “Ajo që mund të them është që sa më shpejt të fillojnë procedurat për zëvendësimin e vendeve vakante”.

Situata e bllokimit të Kushtetueses u prapri nga doreheqja e gjyqtarit Besnik Imeraj në janar të vitit 2018, duke e lënë trupën me gjashtë anëtarë. Por ky largim u pasua me dy gjyqtarë të shkarkuar, përkatësisht Fatos Lulo dhe Altina Xhoxha, të cilët nuk kaluan procesin e vettingut.

Në 7 maj pritet të dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, anëtari Fatmir Hoxha,  duke lënë në pritje të këtij procesi anëtarët Bashkim Dedja dhe Gani Dizdari. Deri më tani, vetëm anëtarja Vitore Tusha është rikonfirmuar nga vettingu.

Ndërkohë paraditen e të premtes me problematikën e bllokimit të Kushtetueses u njohën edhe disa pëfaqësues të Bundestagut gjerman, deputetë të landeve dhe njëkohësisht nënkryetari i partisë së Merkel në CDU. Delegacioni gjerman i kryesuar nga Prof. Dr. Patrick Sensburg, Deputet, zhvilloi një takim me kreun e Kushtetueses Bashkim Dedja, në kuadër të një turi takimesh në vend në “Politika ligjvënëse dhe reforma e drejtësisë në Shqipëri”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!