Kushtetuesja foli, “topi” në derën e Metës, PS gati për zgjedhje në 6 bashki

schedule16:52 - 4 Nëntor, 2021

schedule 16:52 - 4 Nëntor, 2021

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për njohjen e procesit të 30 Qershorit i lë “topin” në derë Presidentit Ilir Meta për të shpallur datën e re të zgjedhjeve lokale për gjashtë bashki.

Zgjedhjet e parakohshme lokale pritet që të zhvillohen në; Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë, Durrës, Shkodër dhe Vorë.

Lexo edhe: Gjykata Kushtetuese rrëzon opozitën: Zgjedhjet lokale të 30 Qershorit janë të ligjshme

Në pesë bashki, kryetarët janë të komanduar, përkatësisht në Lushnje për shkak të arrestimit të kryetarit Fatos Tushe për korrupsion, në Durrës për shkak të dorëheqjes së Valbona Sakos, në Vorë Agim Kajmaku u kap nga ligji i dekriminalizimit, në Dibër Dionis Imeraj kandidoi për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit dhe në Rrogozhinë për arsye se Haxhi Memolla ndërroi jetë.

Në Shkodër Voltana Ademi qëndron në detyrë për shkak se Valdrin Pjetri u zbulua se prekej nga ligji i dekriminalizimit përpara se të merrte drejtimin e institucionit.

Lexo edhe: Zbulohet lëvizja e PD-së për zgjedhjet e 30 Qershorit

Deri më tani, Ilir Meta është shprehur kundër shpalljes së një date të re për zgjedhje lokale në këto bashki, pasi nuk e njihte 30 Qershorin si proces legjitim, por tashmë që Kushtetuesja rrëzoi pretendimet e tij dhe të opozitës është i detyruar që të shpallë datën.

Partia Socialiste pak ditë më parë përmes sekretarit të përgjithshëm Damian Gjiknuri u shpreh e gatshme për zgjedhjet e parakohshme lokale në këto gjashtë bashki. Tani fjalën e ka Ilir Meta./ db/Abcnews.al