Shtyhet rikthimi në shkollë, Kushi: Do të kemi periudhë më të gjatë pushimesh

schedule10:31 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 10:31 - 14 Dhjetor, 2020

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, këtë të hënë nga Elbasani ka paralajmëruar mbylljen e shkollave, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Gjatë një vizite në shkollën 9-vjeçare “Adem Krasniqi” në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, e shoqëruar nga numri dy i PS-së, Taulant Balla, ministrja ka marrë dhe mendimet e mësuesve dhe nxënësve për mësimin e kombinuar në shkollë dhe mësimin “online”.

Së fundmi në fjalën e saj ministrja deklaroi se këtë fundvit do të ketë një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera.

“Vendosëm që nxënësit e fillores të vijnë në shkollë sepse për ta është më e vështirë të zhvillohet mësimi “online”, por edhe konsiderohen si jo-transmetues të fortë të COVID-19. Edhe pak ditë mbeten deri në përfundim të këtij tre-mujori dhe kërkoj përkushtim, të kalojmë edhe këto ditë, dhe më pas do të kemi një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera, e cila besojmë se do ta stabilizojë disi situatën”, u shpreh Kushi.

Nga ana tjetër Balla, kërkoi më shumë përkushtim dhe disiplinë në këtë shkollë si dhe më tepër bashkëpunim dhe komunikim me prindërit.

Balla tha se ky shqetësim është përcjellë nga komuniteti dhe një shkollë me të gjitha standardet infrastrukturore, si shkolla “Adem Krasniqi”, nuk mund të ketë standarde mësimdhënieje më të ulëta se shkollat e tjera të qytetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!