“Kush nuk kërcen është…”, kalimi te Partizani dhe 3 më të mirët: Elton Cale “shkel kudo”

schedule21:32 - 21 Prill, 2021

schedule 21:32 - 21 Prill, 2021

Elton Cale, sulmuesi anësor i Tiranës, shënoi një gol mjaft të bukur kundër Kukësit në fundjavë, por nuk mjaftoi që t’i jepte tre pikët bardhebluve. Braziliani ditën e sotme, në një bashkëbisedim “live” në rrjetet sociale të Tiranës, u është përgjigjur fansave të kampionëve në fuqi.

“Shqipëria më pëlqen, nuk ndryshon shumë me Brazilian. Njerëzit këtu janë miqësore, të afrueshëm. Sigurisht edhe Tirana më pëlqen, por  trafiku është shumë i rënduar”, shprehet Cale, i cili në Brazil pëlqente shumë të mbante numrin 7 në fanellë.

Sigurisht nuk kanë munguar ngacmimet për ndonjë ofertë apo kalim te “Demat e kuq”. Cale deklaron: “Partizani nuk më ka bërë asnjëherë ofertë. A do shkoja tek ata? Kurrë mos thuaj kurrë, por jam i fokusuar te Tirana. Nuk i dihet kurrë, gjithçka vare nga shefi”.

I pyetur çfarë është Tirana për të, braziliani shton: “Tirana është ekipi më i madh në kryeqytet. Ndihem si në shtëpi. Për mua është shumë mirë këtu”. Kur i kërkojnë të plotësojë “kush nuk kërcen është…”, Cale nuk bie në grackë.

“Nuk më kujtohet kjo”, shprehet sulmuesi anësor, i cili nuk kërkon të bëjë armiq, edhe pse për të Tirana është ekipi më i mirë. Cale është i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë kur pyetet nëse do luante për Shqipërinë:

“Me gjithë respektin për Shqipërinë, nuk do luaja edhe ta kisha pasaportën. Njerëzit që luajnë për Kombëtaren, duhet të luajnë me zemër”. Në vijim ai tregon edhe 3 lojtarët më të mirë të bardhebluve, si dhe flet për objektivat.

“Tre lojtarët më të mirë të Tirana do të thosha që janë Torassa dhe Batha, por nuk lë jashtë as Cobbinah që ka ikur. Titulli? Kur matematika do thotë që nuk kemi asnjë shans për titullin, atëherë mund të themi që nuk mund ta fitojmë”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!