Kush ishte Karli i Madh, perandori që u quajt “babai” i Evropës?

schedule17:08 - 11 Dhjetor, 2022

schedule 17:08 - 11 Dhjetor, 2022

Nga Emily Staniforth

Karli i Madh sundoi mbi perandorinë e madhe Karolingiane që shtrihej në Evropë gjatë Mesjetës së Errët. Ai u bë mbret i Frankëve në vitin 768 pas Krishtit dhe gjatë mbretërimit të tij 46-vjeçar pushtoi pjesën më të madhe të Evropës. Në këtë mënyrë ai hodhi themelet për Perandorinë e Shenjtë Romake, e cila do të ekzistonte për gati 1 mijë vite.

Po ashtu ai krijoi një lloj të ri udhëheqjeje mbretërore, që do të frymëzonte shumë breza monarkësh evropianë. “Karli i Madh ishte një model për mbretërit edhe shumë shekuj pas vdekjes së tij, dhe perandoria e tij përfaqësonte idealin më të lartë të qeverisjes në shekullin XIX”- thotë Majkëll Fraseto, lektor i historisë në Universitetin e Delauerit.

Karli i Madh e mbrojti reformën fetare dhe ruajti një marrëdhënie të ngushtë me papët në Romë. Po ashtu ai mundësoi Rilindjen Karolinge, duke investuar në ngritjen e manastireve dhe katedraleve dhe duke nxitur një rilindje në aspektin e të mësuarit. Për pasojë, në kryeqytetin e tij, Ahen (Gjermania e sotme) lulëzoi si arsimi po ashtu edhe feja).

Sot Karli i Madh kujtohet si “Babai i Evropës” për shkak të bashkimit nën sundimin e tij të pjesës më të madhe të kontinentit. Në fundin e shekullit IV dhe fillimin e shekullit V, ndikimi i Perandorisë Romake ra së tepërmi në Evropën Perëndimore, teksa fiset gjermanike sulmuan dhe shkatërruan Romën, duke sjellë rënien e Perandorisë Romake Perëndimore në vitin 476.

Nga ai vakum pushteti përfituan një sërë fisesh franke që ishin vendosur në Gali (Francën e sotme), të cilat e konsoliduan sundimin e tyre nën një sërë mbretërish. Nga këto fise frankelindi dinastia Merovingiane (mesi i shekullit V deri në vitin 751). Por në shekullin VII, mbretërit Merovingianë kishin pak pushtet.

Territoret franke ishin rrallëherë të bashkuara nën një sundimtar dhe luftimet e brendshme ishin të shfrenuara. Sharli Martel, gjyshi i Karlit të Madh, nisi të dominojë politikisht në anën lindore dhe perëndimore të mbretërisë, duke filluar uzurpimin ngadaltë të vendit të merovingëve në favor të dinastisë së sapolindur Karolinge, thotë historiania e Mesjetës së Hershme Xhenifer R.Dejvis, profesore e asociuar i historisë në Universitetin Katolik të Amerikës në Uashington.

“Ishte babai i Karlit të Madh që në fund e rrëzoi dinastinë Merovingiane dhe e shpalli veten mbret në vitin 751. Historiografia Karolingane i kushtoi jo pak vëmendje denigrimit të Merovingëve dhe justifikimit të atij që në thelb ishte një grusht shteti”- thekson Dejvis.

Pepin Shkurtabiqi, babai i Karlit të Madh, pretendoi se kishte marrë miratimin e Papës për rrëzimin e Merovingëve, edhe pse këtë e dëshmojnë vetëm burimet franke. Gjithsesi, burimet franke dhe papale vunë në dukje se në vitin 753 Papa Stefani II udhëtoi për herë të parë në shtetet franke dhe formoi një aleancë.

Ai deklaroi se mbretërit frankë duhet të zgjidheshin vetëm nga dinastia Karolingiane, ndërsa në këmbim të kësaj mbështetjeje, frankët do të mbështesnin interesat territoriale të papatit kundër presionit nga lombardët në Itali. Po kush ishte Karli i Madh? Ai lindi rreth vitit 742.

Pas vdekjes së Karlit të Madh në vitin, studiuesi frank Einhard, që ishte bashkëkohës dhe kishte shërbyer në oborrin e tij, shkroi se dihej pak mbi fëmijërinë dhe vitet e rinisë së hershme.

“Gjithsesi e sigurt është që arsimimi i tij i hershëm, nuk përfshinte shumë lexime apo shkrime. Ai nuk mësoi të shkruante, ndaj mezi i firmoste dokumentet e tij”- thotë AlbrehtKlasen profesor i studimeve gjermanike në Universitetin e Arizonës, SHBA.

Karli i Madh trashëgoi gjysmën e mbretërisë së babait të tij pas vdekjes së këtij të fundit në vitin 768. Vëllai i Karlit të Madh, Karlomani, trashëgoi gjysmën lindore. Dy mbretërit frankëkishin një marrëdhënie të çuditshme dhe shpeshherë konfliktuale. Në vitin 771, vdekja e parakohshme e Karlomani e shpëtoi mbretërinë nga lufta civile dhe i dha Karlit të Madh dominimin mbi të gjitha territoret franke, shkruan Fransu Ganshof, historian belg i epokës së Mesjetës në librin “Karli i Madh”.

Gati menjëherë pasi u bë mbreti i Frankëve, Karli i Madh nisi një fushatë për të siguruar territoret e tij nga lakmia e forcave fqinje që përpiqeshin vazhdimisht të depërtonin në territorin frank. Kështu Karli i Madh filloi një luftë të gjatë dhe të përgjakshme kundër Saksonëve, një fis tjetër gjerman.

Në vitin 772, ushtria e Karlit të Madh marshoi në Saksoni (sot Gjermania Veriore), duke vendosur aty një prani të përhershme ushtarake në një kufi të fortifikuar. Karli i Madh e përdori atë zgjerim territori si një mundësi për të përhapur krishterimin në një zonë tradicionalisht pagane të Evropës.

Krishterimi i Saksonëve nga Karli i Madh ishte një sukses personal për perandorin. Gjatë luftës 10-vjeçare në Saksoni, ekspansioni ushtarak i Karlit të Madh vazhdoi në zona të tjera të Evropës. Në 774, sulmi dhe mposhtja e mbretërisë Lombarde në Italinë Veriore, solli kurorëzimin e tij atje.

Në vitin 788, pushtoi Bavarinë, duke e aneksuar në mbretërinë e tij. Për të ruajtur rendin mbi një territor aq të madh, Karli i Madh ndërtoi një organizatë të sofistikuar administrative. Po ashtu ai përdori edhe strukturat brenda kishës.

“Peshkopët, priftërinjtë ose dhjakët nuk ishin domosdoshmërisht të interesuar për pushtetin laik. Por ata ishin të arsimuar dhe u mbështetën nga Karli i Madh, që i përdori si administratorë të klasit të parë në të gjithë vendin e tij”- thotë Klasen.

Por Karli i Madh nuk hezitoi të përdorte dhunën kundër rebelëve. Në luftën e tij ndaj Saksonisë, ai kreu masakra kundër atyre që po përpiqej të pushtonte. Si për shembull në vitin 782 me Masakrën e Verdunit, ku thuhet se urdhëroi vrasjen e rreth 4500 saksonëve.

Nga ana tjetër, Karli i Madh i lejoi popullatat që pushtoi që të funksiononin kryesisht siç kishin bërë më parë. “Në përgjithësi ai nuk ua mori gjithë tokat aristokracisë vendase. Por nëse dikush rebelohej, atëherë toka i merrej dhe i jepej dikujt tjetër”- shprehet Devis.

Marrëdhënia e Karlit të Madh me kishën ishte shumë e fortë gjatë gjithë jetës së tij. Karli i Madh ndërtoi manastire dhe katedrale në të gjithë territoret e tij dhe ashtu si i ati para tij, i ofroi mbrojtje Papës në këmbim të patronazhit të tij të vazhdueshëm. Kjo marrëdhënie simbiotike bëri që Karli i Madh të shpallej perandor i romakëve, duke e bërë atë personin e parë që mbante këtë titull që nga rënia e Perandorisë Romake Perëndimore.

Thuhet se kurorëzimi ishte një shpërblim për ndërhyrjen e Karlit të Madh në shpëtimin e Papa Leonit III. Në vitin 799, Papa shkoi në oborrin e Karlit të Madh pasi u verbua në rrugë. Karli i Madh organizoi kthimin e sigurt të Papës në Romë. Në vitin 800, Karli i Madh udhëtoi vetë për në Romë dhe e detyroi Papa Leonin III të betohej publikisht për të hequr akuzat për sjellje të pahijshme të ngritura kundër tij nga kundërshtarët.

Ditën e Krishtlindjes së vitit 800, Papa Leoni III e falënderoi Karlin e Madh duke e bekuar si perandor. Më vonë ky titull do të evoluonte në Udhëheqës i Perandorisë së Shenjtë Romake. Karli i Madh vdiq në vitin 814 në moshën 72-vjeçare dhe ia la fronin djalit të tij, Luigjit të Devotshëm. Mbreti frank frymëzoi udhëheqësit e ardhshëm, si NapoleonBonapartin, që e pa mbretërimin e Karlit të Madh si një shembull ideal të imperializmit. /“Livescience”/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!