“Aktorët e vërtetë të luftës Hamas-Izrael nuk kanë zbritur ende në fushë”. Kështu u shpreh eksperti për çështjet e sigurisë, Ilir Kulla në emisionin “Zonë e Lirë” në ABC News teksa po komentonte me gazetarin Arjan Çani se çfarë fshihet pas luftës që ka marrë mijëra jetë njerëzish.
Sipas tij, pas luftës së ashpër qëndron Arabia Saudite. Ai thotë se pas nuk qëndron Irani pasi do të përfshihej edhe Libani dhe Hezbollahu. Kulla thekson se sulmi i Hamasit i ka bashkuar arabët dhe sa më shumë të bombardojë Izraeli në Gaza, aq më tepër do të bashkohen me njëri-tjetrin.
“Sot mbi tempull ndodhet xhamia al-Aksa. Është objekti i tretë i shenjtë për besimtarët myslimanë. Kujdestari i tre xhamive të shenjta, nuk është as kryeministri i Gazës apo i Bregut Perëndimor por është princi i Arabisë Saudite. Çështja është që në kohën që këta po negocionin për marrëveshjen e paqes mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, me amerikanët, ndërkohë që kanë ndodhur shumë zhvillime të tjera nëpër botë, që nga lufta e Irakut, tek ISIS, lufta në Ukrainë dhe pritej një lajm i mirë, ultra ortodoksët që kontrollojnë sot gjysmën e qeverisë së Netanyahut me ministrin e brendshëm, u futën në xhami, e rrethuan dhe bëri deklaratën se do të ndërtojmë tempullin e tretë. Të prishësh xhaminë e al-Aksasë do të thotë t’i shpallësh luftë Arabisë Saudite dhe gjithë arabëve. T’i shpallësh luftë kësaj kryefuqie politike, ekonomike dhe kjo bëhet në një moment ku po shkonin drejt paqes.”, u shpreh Kulla.
Ndërkohë, i pyetur se kush qëndron pas sulmit në spitalin e Gazës, ku raportohet se kanë vdekur qindra persona, Kulla thotë se edhe nëse nuk është Izraeli, faji do t’i mbetet atij.
“Edhe sikur të mos jetë Izraeli, atij do t’i mbetet sepse ka sasinë më të madhe të raketave. Ka një variant që po hetohet që në fakt nuk është as Izraeli dhe as Hamasi por një njësi e Xhihadit Islamik, që është krahu i armatosur i Iranit. Prandaj them që edhe po të mos jetë Izraeli, atij do t’i mbetet. Spitalin e bombarduan para dy ditësh, dje kanë bombarduar kishën ortodokse 1100 vjeçare në pjesën jugore të Gazës. Kur është një zonë kaq e ngushtë me kaq banesash dhe kur dërgon një numër të madh raketash, ekziston mundësia që të bësh ndonjë gabim.”, u shpreh Kulla./abcnews.al