Stevo Pendarovski do të jetë presidenti i gjashtë i Maqedonisë së Veriut që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991. Ndjekim një profil të shkurtër të tij mbi angazhimet e deritanishme në jetën akademike dhe politike.
Stevo Pendarovski është një emër i njohur jo vetëm në politikën e Maqedonisë por edhe si akademik.
Ai është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Shkupit në vitin 1987, ndërsa disa vite më vonë kreu studimet për master dhe doktoraturë për shkenca politike. Karrierën politike Pendarovski e nisi si asistent për marrëdhëniet me publikun në Ministrinë e Brendshme në vitin 1998 dhe më pas si shef i sektorit të Analizës dhe Kërkimeve në të njëjtin dikaster deri në vitin 2001.
Nga ky vit ai punoi si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme për presidentin Boris Trajkovski, deri në vdekjen e këtij të fundit në një aksident tragjik ne vitin 2004. Në vitet 2004-2005 Stevo Pendarovski drejtoi Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërsa me pas ai shërbeu sërish si këshilltar për presidentin e radhës Branko Cervenkovski, deri në vitin 2009.
Stevo Pendarovski ka qenë kandidat edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, i kandiduar nga LSDM asokohe në opozitë. Edhe në këto zgjedhje , 56-vjeçari Stevo pendarovski kandidoi si përfaqësues i socialdemokrateve dhe partive të tjera të koalicionit qeveritar në Maqedoninë e Veriut./ABC News Albania 24/7