Kush është Marsida Xhaferllari, e dekretuar nga Meta si anëtare për Kushtetuesen

schedule16:35 - 13 Nëntor, 2019

schedule 16:35 - 13 Nëntor, 2019

Presidenti Ilir Meta dekretoi pak minuta më parë Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Ky dekret i kreut të shtetit vjen pas përplasjes së këtij të fundit me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për shkak të radhës së dekreteve.

Teksa Arta Vorpsi u emërua automatikisht dhe Kuvendi emëroi Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, Meta pa humbur kohë dekretoi sot Marsida Xhaferllarin. Kësaj të fundit i ka mbetur të betohet tek Presidenti dhe merr menjëherë detyrën.

Mirëpo, duket se këtu thellohet edhe më shumë përplasja mes Presidentit dhe mazhorancës për çështjen e Gjykatës Kushtetuese.

Por kush është Marsida Xhaferllari?

Xhaferllari ka qenë Kryeinspektore në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ish KLD në kohën kur ky institucion drejtohej nga Presidenti Ilir Meta dhe më herët nga Bujar Nishani.

Gjithashtu ajo ka mbajtur edhe poste të larta në ministrinë e Drejtësisë duke filluar si këshilltare në vitin 2008 dhe më pas si drejtore e Përgjithshme e Kodifikimit nga viti 2008 deri në vitin 2011.

Po ashtu ajo ka shërbyer si gjyqtare edhe në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.

Sakaq, për Xhaferllarin ish-kryeinspektore pranë Inspektoratit të ish-KLD që është dekretuar për anëtare të Gjykatës Kushtetuese vettingu në 11 mars të këtij viti nuk doli me një vendim.

Ndërkohë, Xhaferllari është përfolur vazhdimisht si kandidatja që nuk plotëson kriteret për në Kushtetuese, pasi në të shkuarën e saj i janë konstatuar shumë shkelje.

Edhe kur hartuan pikëzimi i listave, kryetari i KED Ardian Dvorani dhe kryeprokurorja Arta Marku i dhanë  zero pikë Xhaferllari gjatë procesit të klasifikimit në KED. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!