Kush është 44-vjeçari, akuzohet për krim të madh ekonomik

schedule13:50 - 10 Korrik, 2019

schedule 13:50 - 10 Korrik, 2019

Një 44-vjeçar me precedent të mëparshëm penal është arrestuar nga uniformat blu të Tiranës, për veprat penale të vjedhjes në shuma të mëdha, vetëgjyqësisë dhe fshehje e të ardhurave.

Ai është Mislim Jella, thonë burimet për tvklan.al. 44-vjeçar ka qenë i dënuar tre herë për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë. Bashkë me të në pranga ka rënë edhe 45-vjeçari me iniciale F.I. Mislim Jella dhe 45-vjeçari kishin bërë një kontratë fiktive për shitjen e një prone.

Bëhet fjalë për një shtypshkronjë në Tiranë, të cilën Jella ia shiti qytetarit me iniciale F.I. për shumën 1 milionë Lekë të vjetra, kur në fakt ky biznes ka xhiro mujore prej 100 milionë Lekësh. Kjo lëvizje, sipas policisë, është bërë për të fshehur të ardhurat që duhet të paguhen nga tvsh-ja, që në këtë rast konkret përllogariten në rreth 8 milionë Lekë.

Po kështu, Mislim Jella ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme dy makina tip Mercedes-Benz që janë pronë e një banke të nivelit të dytë, për të cilat kolateralin dhe kredinë e paguanin shtetasit N.SH dhe O.SH.

Gjithashtu, Jella ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme xhiron mujore të një biznesi në pronësi të shtetases O. Sh, në vlerën rreth 550 milionë Lekë të vjetra. /tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!