Sherif Mukaj, 29-vjeçari që rezultonte i zhdukur që prej nëntorit të vitit të kaluar është vrarë me armë zjarri. Trupi i të riut u gjet i dekompozuar në malin e Gramozit.
Xhaxhai e përshkruan 29-vjeçarin si djalë të qetë. Në dëshminë e tij të siguruar nga ABC, Artur Mukaj thotë se ai ishte tip i mbyllur dhe nuk merrej me punë të paligjshme, pasi kishte të ardhura të mira që ia siguronte familja nga Amerika.
Ai zbulon se në nëntor para se të humbte kontaktet, familjarët i sollën 7 mijë dollarë. Xhaxhai pohon se nuk ka asnjë dyshim se kush mund t’ja ketë vrarë nipin.
“Isha deri dje vonë në Korçë në polici. Më thanë që nipin e kanë vrarë. Nuk ishte djalë që të ngatërrohej me punë të pista. Ai ishte i mbyllur, nuk hapej me njeri, ishte shumë i qetë dhe s’kishte nevojë të merrej me drogë sepse i dërgonte babai lek nga Amerika. Në qershor i dërgoi babai 5000$, merrte pensionin e babait 200 mijë në muaj, dhe në tetor para së të humbte kontaktet i sollën 700$.
Nuk kam asnjë njeri që mund të dyshoj në lidhje me vrasjen, dua që policia ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen. Të gjejë njerëzit që e futën në këtë mesele dhe që e vranë. Nuk jemi në gjendje të flasim sepse na ka shokuar shumë kjo që ka ndodhur”, ka thënë ai.
Trupi i Mukajt u gjet i dekompozuar dy ditë më parë, në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”, në malin Gramoz. Sipas policisë, nga hetimet ka rezultuar se në kafkën e kufomës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit. g.v/abcnews.al