Avokat Spartak Ngjela në një analizë të postuar në faqen e tij në Facebook lidhur me zgjedhjet në Kosovë dhe ndryshimin e madh me fitoren e Albin Kurtit, paralajmëron se ujërat do të lëvizin edhe në Shqipëri. Por nga kush dhe në cfarë mënyre? Avokati pret drejtësinë e re për të pastruar politikën e vjetër.
“Specialja e Kosovës, para disa muajsh, e pastroi rrugën në zgjedhjet politike të 14 shkurtit me arrestimin e krerëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Ky pastrim solli përmbysjen e madhe të korrupsionit në Prishtinë. Pas kësaj, procesi duhet të vijojë në të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Po SPAK-u i Shqipërisë, a do t’ua pastrojë rrugën shqiptarëve në zgjedhjet politike të prillit, duke arrestuar krerët e korrupsionit të lartë shtetëror dhe të krimit të organizuar në Shqipëri?
Këtë po presin shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët. Shqipëria është tamam në kohë. A e din politika dhe ekspertiza amerikane këtë?
Po Byroja Kombëtare e Hetimit, kur do të konstituohet plotësisht me hetuesit e saj?
Ne mendojmë se shumë shpejt do të fillojë edhe në Shqipëri procesi i likuidimit me akuzë penale për të gjithë të korruptuarit të politikës së lartë shqiptare, dhe të bandave të tyre.
Në fakt, ky është vijim i procesit ligjor antikorrupsion në Shqipëri.
Kjo është gjendja e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, sepse ne këtë kahe lëvizjeje po ecën edhe Maqedonia e Veriut me shqiptarët, në procesin e shkatërrimit të gënjeshtrës shekullore për përqindjen e tyre në atë shtet, dhe për falsifikimin e prejardhjes së shqiptarëve.
Tani po kuptohet pse janë të çorientuar pushtuesit shekullorë të trojeve shqiptare, sepse Specialja e Kosovës, para disa muajsh, dhe zgjedhjet e 14 shkurtit që e pastruan shtetin shqiptar të Kosovës nga beogradasit, po flasin për një epokë të re të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.
Po në Tiranë. Në Tiranë po pritet me padurim që SPAK-u të fillojë arrestimet e korrupsionit të lartë shtetëror. Duhet të theksojmë se, të korruptuarit e Tiranës sot, në shumicën e tyre, beogradas dhe moskovitë janë. Shumë shpejt keni për t’i parë dhe dokumentat e zbardhura për ta; sepse edhe këta, të njëllojtë janë, mu ashtu si përgjatë këtyre dy shekujve të fundit, ku janë shitur drejt Beogradit thuajse të gjithë krerët e shtetit shqiptar” shkruan ai./ db/ Abcnews.al