Pep Guardiola i del në mbrojtje Jose Mourinhos. Rivaliteti mes dy trajnerëve ka qenë i madh ndër vite, por spanjolli nuk është dakord me kritikat kundrejt “Special One”. Të dielën do të përballen mes tyre në duelin Tottenham-Manchester City dhe Guardiola sjell shembullin e Michael Jordan, legjendës së basketbollit dhe sportit botëror, në konferencën për shtyp.
“Një trajner me eksperiencë dhe i suksesshëm si Jose Mourinho nuk mund të gjykohet për një sezon apo gjysmë sezoni. Ai që vë në dyshim Mourinhon, pas gjithë asaj që ka bërë në 15-20 vite karrierë, nuk kupton asgjë nga futbolli.
E di që të gjithë të gjykojnë në bazë të ndeshjes së fundit. Është normale që një trajner të ketë ulje-ngritjet e tij. Të fitosh në sport është diçka e veçantë, por historia na ka mësuar që më të shumta janë rastet kur humbet.
Shikoni Michael Jordan, më i madhi i të mëdhenjve. Ka fituar 6 tituj në NBA në 15-16 vite. Më shumë ka humbur se sa ka fituar, por vazhdon të mbetet më i madhi që kam parë ndonjëherë“, thekson Pep Guardiola. /abcnews.al