Kush do të rikandidojë, kush është me pikëpyetje dhe kush “mbledh plaçkat”? Kryesia diskuton sot “peshat e rënda” të bashkive, çfarë pritet të ndodhë

schedule16:47 - 27 Shtator, 2022

schedule 16:47 - 27 Shtator, 2022

Partia Socialiste do të mbledhë mbrëmjen e së martës në orën 18:00 kryesinë e Partisë, ku në fokus do të jenë zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Sipas asaj që Abc ka mësuar, PS do të diskutojë në mbledhjen e Kryesisë emrat për kandidatët e mundshëm në garën për Bashkitë që do të zhvillohen në maj të vitit të ardhshëm.

Ajo që është lënë të nënkuptohet nga kryeministri Edi Rama është se në këtë mbledhje do të kemi një ndarje të tre kategorive, e para është ajo e kryebashkiakëve që do të rikandidohen, kjo në varësi të performancës dhe vlerësimeve që ata kanë marrë gjatë këtyre viteve.

Ndërkohë në kategorinë e dytë do të jenë emrat që do të diskutohen në Kryesi nëse do të rikandidohen ose jo.

Kurse kategoria e tretë është ajo e kryebashkiakëve që nuk kanë asnjë shans për të rikandiduar nën logon e socialistëve.

Sa i përket kategorisë së parë, atyre të kryebashkiakëve që pritet të rikandidohen i sigurtë është vetëm kryetari i Bashkisë së Cërrikut, i cili i rikonfirmua pak ditë më parë nga Sekretari i përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, i cili është edhe Drejtues në Qarkun e Elbasanit.

Po në Qarkun e Elbasanit gjasat për një rikandidim të mundshëm janë edhe për kryetarët e Bashkisë së Peqinit dhe Gramshit, ndërkohë që mbeten në pikëpyetje kryebashkiakët e Elbasanit, Librazhdit, Prrenjasit dhe Belshit.

Gjithashtu favorit për të rikandiduar shihet edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili është vlerësuar publikisht nga kryeministri Edi Rama, për qasjen ndaj turistëve që Bashkia Lezhë pati gjatë këtij sezoni turistik.

Ndërsa duhet theksuar që i vetmi që e ka “prerë” biletën dhe është i përjashtuar nga mundësitë e rikandidimit është kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili u kritikua publikisht edhe gjatë ditës së sotme nga Rama, i cili e quajti një dështim spektakolar punën e tij gjatë këtyre katër viteve.

Në drejtimin e ministres së Turizmit që ka bërë diferencën dhe falë disa bashkive, ose më saktë të një bashkie, të Lezhës përsa i përket pastërtisë dhe sot me përjashtimin spektakolar të bashkisë së Vlorës. Ne kemi pasur një sezon më të pastër se asnjëherë, që nuk është ndonjë gjë e madhe, por një sezon realisht të pastër” tha Rama.

Sa i përket kryebashkiakëve të tjerë, pritet që diskutohen emër për emër nëse do të kenë dhe një tjetër shans për të rikandiduar ose, jo, kjo do të vendoset nga Kryesia e Partisë Socialiste.

Duhet theksuar se për shumë nga kryebashkiakët në rast se do tu jepet mundësia për të rikandiduar, kjo do të jetë gara e parë reale përballë qytetarëve, pasi siç dihet në zgjedhjet e fundit ata garuan të vetëm, pasi opozita refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, me përjashtim të Tiranës, ku përballë Veliajt qëndroi Arben Skënderi i Bindjes Demokratiek, të drejtuar në atë kohë nga Astrit Patozi.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!