Ditën e hënë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhjet e reja për kryetarë të katër komunave veriore para se të hiqen masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar në ‘Special Report’ deputeti i LDK-së, Anton Quni, i cili u shpreh se kjo mënyrë dëmton shumë raportet me aleatët.
“Nga përvoja e bashkëpunimit me autoritetet ndërkombëtare konkludojmë se një atakim i tillë për të sfiduar autoritet ndërkombëtare me kushte të veçanta nuk do të rezultonte i mirë. Shumë çështje të cilat duhet të trajtohen në kuadër të bashkëveprimit me qendrat e vendimmarrjes për një shtet që është në proces e sipër, i cili ka një bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë, tani vihen kushtet të tilla që para publikut apo votuesve dalin si një parti e cila po ndërton një qasje të re në ndërtimin e shtetit dhe pavarësinë e marrjes së vendimit. Unë mendoj që edhe më shumë i rëndon raportet e Kosovës me ato ndërkombëtare”, tha ai.
Sa i përket, deklaratës së Mimoza Kusari Lila, shefja e Grupit Parlamentar në Lëvizjen Vetëvendosje se përgjimet e publikuara mes saj dhe deputetit te listes serbe Slavko Simiç janë të montuara dhe jo të vërteta, Quni tha se hetimmet duhet të nxjerrin të vërtetën e përgjimeve.
“Zonja Kusari Lila duhet të qendroj fuqishëm në bindjen e saj për të nxjerr të vërtetën në sipërfaqe dhe mendoj me një eskpertizë profesionale do të kuptohej se cila është e vërteta për ato përgjimet të cilat tanimë janë të ditura për publikun.
Unë nuk e di se si do e arsyetojë, se si do dalë para publikut me shpjegime. Fakti që ndryshoi qendrim është një lloj treguesi që aty ka diçka dhe nuk janë të interesuar që publiku të kuptojë esencën e atyre bisedave dhe veprimeve. Me këtë rast publiku e kupton që përkundër atyre deklarimeve, që nuk do të duhej që partitë politike të jenë të varura nga disponimi i komunitetit serb nëpërmjet deputetëve të tyre. Në fakt, ka qene një kauzë jo e qendrueshme. Tani po kuptohet një situatë krejt tjetër që këto biseda kanë vazhduar dhe jashtë vëmendjes”, shtoi ai./abcnews.al

