Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në 12 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Kurti në homazhe ishte i shoqëruar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ndërsa tha para mediave se e vlerëson angazhimin politik për liri dhe pavarësi të ish-presidentit.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të shpalljes së pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën të zgjedhur me votë popullore me 24 maj të vitit 1992. Një dekadë më vonë më 4 mars të vitit 2002 në Kuvendin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova rizgjidhet përsëri president, president i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo në vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi. U prehtë i qetë dhe në paqe”, tha Kurti.
Kjo është hera e parë që Albin Kurti ka bërë homazhe para varrit të ish-presidentit, gjë që e kishte refuzuar prej vitesh.