Kurti: Specialja e njëanshme, “ndërmarrje e përbashkët kriminale” s’ka ekzistuar brenda UÇK-së

schedule12:16 - 15 Nëntor, 2020

schedule 12:16 - 15 Nëntor, 2020

Kreu Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, reagoi në një konferencë për aktakuzat e ish-krerëve e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykatën Speciale.

Në fjalën e tij, Kurti u shpreh se Kosova ka pasur vazhdimisht Gjykata Speciale, njëherë UNMIK-un, Tribunalin e Hagës pastaj EULEX-in, por kjo fundit në Hagë, sipas tij, është me speciale, pasi shton ai është e padrejtë dhe e njëanshme.

“Jo çmimin e lirisë por çmimin e gabimeve politike jemi duke e paguar tani,  në njërën anë UÇK-ja është lënë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës, ndërkaq kjo gjykatë që iu sipërvendos shtetit me votat e 82 deputetëve, u pranua të bëhet pjesë e Kosovës përmes amandamentimit të Kushtetutës  me 3 gusht 2015.”

Kreu i LVV shton se nuk ka pasur strukturë paralele kriminale në Kosovë siç pretendohet.

“Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup Kriminal përbrenda, apo siç e quajnë ata ndërmarrje kriminale. Prokuroria e ka gabim s’ka pasur strukturë paralele kriminale, lajmi për njëfarë NPK-je brenda UÇK-së nuk është i vërtetë”, tha më tej ai.

Sipas Kurtit, arsyetimi i Speciales se kjo ndërmarrje ka ushtruar veprime nga viti 1998 është i pabesueshëm, derisa ka thënë se po të bëhej fjalë për vitet e mëvonshme edhe do të ishte e besueshme.

“Sipas gjykatës qëllimi i kësaj ndërmarrje na paska qenë të fitoj dhe ushtroj kontroll gjithandej në Kosovë. Madje, kjo qysh nga marsi 1998. Po të thuhej se ndokush prej tyre ka pasur qëllim kontrollin në mars 2008 apo 2018, edhe mund të besohej por kurrsesi në 1998 siç pretendon prokuroria. Çlirimi ishte qëllimi e jo ushtrimi i kontrollit”, shton Kurti më tej.

Ai shtoi se qeveria duhet të mbrojë të gjithë të akuzuarit dhe të bashkërendojë procesin.

“Në Hagë nuk po përndjeken vetëm individët por nuk mund të mbrohen as të pandehurit si individë. Shteti duhet ta organizoj e ta koordinoj mbrojtjen e të pandehurve. E pamë se ata i kanë avokatët e tyre por nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK nuk ka qenë e asnjërit, por të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë. Kjo është sidomos punë qeverie”, tha ai.

Sipas Kurtit, Kosova nuk ka qeveri që mund ta bëjë këtë.

“Kjo qeveri e paligjshme që varej nga fillimi nga lista serbe e që tash është e pakicës, nuk mund ta mbrojë e të shpëtojë as vetveten e lëre më dikë tjetër.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!