Lideri i LVV-së Albin Kurti ka refuzuar ftesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për takim me arsyetimin se ai ndodhej jashtë Prishtinës.
Express raporton duke iu referuar burimeve nga VV se ftesa e Kurtit ka mbërritur në seli pak para orës 11:00 dhe se Kurti kishte agjendë tjetër.
“Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takoj Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, kanë thënë nga VV-ja.
Sot presidenti Thaçi e ka ftuar Kurtin për takim në ora 13:30 në presidencë.
“Ju ftoj që të merrni pjesë në takim konsultativ për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë. Në pajtim me Nenin 84 (14) dhe Nenin 95.1. të Kushtetutës së Kosovës do të ndërmarrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë”, thuhet në ftesën e Thaçit dërguar Kurtit.