“Kurti po na çon në kah të kundërt”, Lekaj: Nuk pres asgjë nga takimi me Vuçiç, do jetë vetëm një ‘shëtitje’ në Bruksel

schedule16:26 - 6 Shtator, 2023

schedule 16:26 - 6 Shtator, 2023

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj theksoi se qasja që po ndjek qeveria Kurti, po e çon Kosovën në vetëizolim. Në një intervistë për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, Lekaj shtoi se Kosova po përballet me sanksione nga vendet mike për shkak të një kryeministri kryeneç si Kurti.

“Sa i përket qëndrimit të zotit Haradinaj, mendojmë se është i drejtë dhe duke u nisur nga fakti që me këtë qeveri, që tre vite nuk kanë shkuar gjërat siç kanë premtuar dhe pritur qytetari, kanë shkuar në kahe të kundërt. Kur e them këtë, nëse nisemi nga zhvillimi ekonomik, kemi ngecje. Nëse nisemi nga dialogu, nuk kemi pasur asgjë serioze sa i përket qeverisë në dialog dhe mund të themi se kanë bërë hapa të gabuar që Republika dhe qytetarët e Kosovës kanë edhe sanksione nga BE, me të cilët kemi ndërtuar shtetin dhe tani jemi të sanksionuar. Falë kësaj qeverie, një kryeministri kryeneç mendoj se ka përdorur çdo levë të veten për të dëshmuar që është njeriu i duhur në vendin e duhur por veprimet e tij kanë shkuar aty ku nuk ka mundur që të tregojë se e do vendin dhe punon për qytetarët. Nga ky këndvështrim, Haradinaj e ka quajtur luftën hibride të Kurtit, sepse nëse marrim dialogun, ndryshe flet, ndryshe vepron dhe ndryshe janë gjërat në tavolinë. Nëse marrin marrëveshjen e Ohrit, ajo ka mbetur në sirtar dhe nuk po lëviz nga vendi derisa Vuçiç thotë se nuk e nënshkruar, ku nuk dihet se çfarë ka aty”, theksoi Lekaj.

Ai thotë se qasja e kryeministrit Kurti nuk po e çon Kosovën drejt vetëizolimit dhe po e kthen atë pas në vite. I pyetur nga gazetarja se cilat janë pritshmëritë për takimin mes Kurtit dhe Vuçiç me 14 Shtator në Bruksel, ai tha se do të jetë vetëm një ‘shëtitje’ dhe se nuk do të ketë asgjë pozitive.

“Mendoj se do të jetë një shëtitje deri në Bruksel. Nuk pres diçka pozitive, janë qëndrime të kundërta. Vuçiç se nuk do ta njohë Kosovën pa krijuar asociacionin me kompetenca ekzekutive ndërsa Kurti do të ketë qëndrimin që unë s’do të krijoj asociacion derisa Serbia nuk e firmos marrëveshjen me nënshkrim apo nuk e njeh Kosovën. Nuk pres asgjë pozitive nga takimi i 14 Shtatorit në Bruksel.”, përfundoi ai./abcnews.al