Ambasadori Albert Prenkaj ka folur në “Ballkan Update” në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Ai ka thënë se të gjitha lëvizjet e qeverisë së Albin Kurtit në Veri janë në prag të fushatës zgjedhore dhe jo me ndonjë pjekuri politike.
“Tërheqja e letrës së Brnabić është në aspektin teknik, por përfitimet janë në aspektin më të gjerë, në aspektin politik.
Kemi të bëjmë me një tërheqje të natyrës teknike, është një lëvizje e mençur e Serbisë. Është bërë një tërheqje e tillë, në mënyrë që t’i hapet rruga negociatave.
Kryeministri i Kosovës është duke marrë pa ndërprerë shumë shuplaka dhe duket që e ka shurdhuar veshin e Kosovës dhe çfarë do që të deklarohet, duket se kjo qeveri do të vazhdojë me avazin e saj. Pra, e tërë kjo që po ndodh në veri ka të bëjë me fushatën zgjedhore dhe jo me ndonjë pjekuri politike të qeverisë Kurti. Pra, po shohim reagimet e delegacionet të SHBA në OSBE, Kosova është futur në një diskurs, i cili është duke e dëmtuar Kosovën, pra në qarqet diplomatike, në qarqet e rëndësishme të Europës dhe të botës, ku e shohim gjithmonë diskurs kritik ndaj Kosovës”, u shpreh Prenkaj.
Më tej, ai shtoi se: “Qëllimi i këtij demostrimi është që të kërkohet heqja totale dhe operacionale e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesa e Veriut, ku jeton popullata me shumicë serbe, në mënyrë që të ketë një hapësirë boshe institucionale. Kjo ka për qëllim krijimin e një situate të re në Veri. Duke marrë parasysh, se në Kosovë nuk funksionojnë prokuroria dhe gjykatat me përfaqësues serbë, si dhe asambletë komunale dhe me largimin e policisë dhe me ketë kërkesën e re, atje do të krijohej një hapësirë boshe dhe kërkesa siç thash është të krijohet një realitet i ri, se ku do të na dërgoj kjo do e shohim në ditët në vijim”./abcnews.al