Kryeministri Albin Kurti është nisur sot për në Tiranë, pasi do të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës nuk ka lënë pa kujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar, atë të Lidhjes së Prizrenit.
Kurti ka ndaluar këtë mëngjes në Prizren dhe ka zhvilluar homazhe për të nderuar rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit të 10 qershorit 1878, ku shqiptarët e të gjitha trevave u bënë bashkë për të t’i dalë në mbrojtje vendit të tyre kundër copëtimit të territorit.
Pas kësaj ndalese Kurti thekson se është nisur drejt Tiranës, duke shtuar se është përherë e qartë se cila është busulla historike e shqiptarëve.
Postimi nga Albin Kurti:
Jemi nisur herët në mëngjes për në Tiranë, ku do të takohemi me udhëheqësit e shteteve të rajonit. Por sot është data e kryengjarjes së kombit tonë, përvjetori i Lidhjes që u mblodh në 10 qershor 1878 në Prizren.
Ishte e domosdoshme të ndaleshim në Prizren për ta nderuar Lidhjen e veprimtarët e saj, gegë e toskë e të të gjitha bindjeve politike e feve, që vendosën të bëhen bashkë për mbrojtjen e njerëzve e trojeve të Atdheut.
Pas homazheve, vijuam rrugën për në Shqipëri, duke e patur përherë të qartë se cila është busulla jonë historike, ajo që na e tregon udhën e mbarë.
g.v/abcnews.al