Kurti nga Prekazi: Drejtësia për familjen Jashari ende nuk ka nisur

schedule12:28 - 6 Mars, 2021

schedule 12:28 - 6 Mars, 2021

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja, njëkohësisht dhe kandidati për kryeministër i Kosovës Albin Kurti këtë të shtunë bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së.

Kurti në fjalën e tij është shorehur se kanë kaluar 23 vite nga vrasja e anëtarëve të familjes Jashari dhe akoma nuk ka asnjë të dënuar në lidhje me këtë. Ai është shprehur se secili anëtarë  i familjes Jashari sakrifikoi për ketë vend, por drejtësia ndaj sulmit të Serbisë nuk ka nisur akoma.

Tre breza, gjithsej 59 veta para 23 vjetëve u flijuan në Prekazin historik për lirinë e Kosovës. Baca Shaban dhe nëna Zahide, daja Osman, deri te Kushtrimi 13 vjeç e Igballja e Blerina e vogël, u sakrifikuan për çlirim, për pavarësi, për bashkim, për popullin dhe kombin tonë. Gjysma ishin burra e gjysma gra e fëmijë. Hamza luftoi bashkë më gruan e tij, e Ademi bashkë me gruan. Ndërsa bashkëshortja e bacës Rifat u vra me vajzat e saj dhe djalin.

Për këtë sulm shtetëror të Serbisë ndaj familjes legjendare Jashari, askush nuk është gjykuar dhe nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë që dikush të dënohet. Drejtësia është vonuar dhe as s’ka filluar, prandaj ne duhet të angazhohemi që kjo të ndryshojë për hir të Republikës së Kosovës, për hir të pasardhësve të Jasharëve dhe për hir të kombit tonë”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu  tha se me nderim të përjetshëm përulen para jetës, veprës dhe rënies së Jasharëve, kryekomandantit Adem Jashari.

“Ata e deshën pakrahasimisht më shumë vendin tonë, sesa veten e tyre. Dashuria, kujdesi dhe përgjegjësia institucionale janë mënyra më e sigurt që edhe ne ta duam vendin tonë”, e ka mbylluar ai fjalën e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!