Kurti: Liberalizimi, pranimi i aplikimit në KiE konfirmojnë se jemi në rrugën evropiane

schedule11:07 - 26 Prill, 2023

schedule 11:07 - 26 Prill, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh sot se vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe pranimi i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës konfirmojnë se vendi është në rrugën evropiane dhe se Kosova i përket Evropës.

Kurti në fjalën hyrëse në mbledhje të qeverisë së Kosovës tha se qytetarët e Kosovës nga 1 janar 2024 do të mund të udhëtojnë në 32 vende të tjera përfshirë edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Qipron.

Duke folur për pranimin e aplikimit në Këshillin e Evropës, i cili ndodhi këtë të hënë (24 prill), shefi i ekzekutivit kosovar shprehu besimin që si shtet demokratik Kosova do të jap kontribut të çmuar në të ardhmen si anëtarë me të drejta të plota në KiE.

“Këto dy vendime të rëndësishme brenda më pak se 1 jave konfirmojnë  rrugën tonë evropiane, konfirmojnë që jemi në rrugën e duhur dhe konfirmojnë se Kosova i përket Evropës si union, si vlerë“, theksoi ai.

Gjatë mbledhjes së sotme, kryeministri Kurti tha se do ta shqyrtojnë edhe projektligjin ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Sipas tij, çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!