Kurti kujton heroin Gjergj Kastrioti në ditën e lindjes: Liria e popujve po rrezikohet sërish

schedule12:20 - 6 Maj, 2022

schedule 12:20 - 6 Maj, 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar lindjen e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kurti shkruan në një postim në rrjetet sociale se, Skënderbeu është simbol i denjë i gjallërisë së kombit tonë dhe i dëshirës sonë liri.

Kryeministri thekson më tej se për fat të keq sot liria e popujve po rrezikohet sërish, prandaj kujtesa për Skënderbeun si mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe i Perëndimit në kushtet e shek. XV është aktuale dhe frymëzon.

Postimi i plotë:

Sot shënojmë ditën e lindjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai është ikona e identitetit shqiptar, simbol i denjë i gjallërisë së kombit tonë dhe i dëshirës sonë për liri!

Flamuri i kombit tonë mban edhe sot me krenari simbolikën e tij. Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit. Kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare me gjithçka ka, paçka fuqisë më të madhe të pushtuesit. Këtë e dëshmuan në shek. XX përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, veçanërisht epopeja e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për fat të keq, liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjatë të kontinentit po bëheshin realitet. Rreziqet ndaj lirisë dhe sovranitetit popullor nuk mungojnë as në rajonin tonë. Prandaj, kujtesa jonë për Skënderbeun, si mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe i Perëndimit në kushtet e shek. XV është aktuale dhe frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike.

/abcnews.al