Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po mban një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel. Kurti tha gjatë fjalës së tij se duhet të zbatohet marrëveshja e dakordësuar me Serbinë dhe se gabimi më i madh ishte mosnënshkrimi i saj.
“Vështirësitë që kemi është mungesa e implemetimit të marrëveshjes dhe besoj se fillon duke lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët. Ky ishte një gabim i madh sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes ka hapur derën për shkelje. Ajo që duhet është implementim i shpejtë i të gjitha pikave pa parakushte ose vonesat. Kjo besoj se është zgjidhja dhe duhet të intensifikojmë dialogun për implementim. Nuk duhet të heqim dorë nga marrëveshja. Kryeministri Rutte dhe Bettel, të gjithë udhëheqësit evropianë, Brukseli si kryeqyteti i dyfishtë i NATO-s dhe BE-së s’duhet të heqin dorë nga marrëveshja bazë.”, tha Kurti.
Para konferencës, kryeministrat evropianë zhvilluan takime me Kurtin dhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Vizita e tyre vjen në një kohë kur ndërkombëtarët kanë ndëshkuar Kosovën për qasjen lidhur me tensionet në veri ndërsa kanë parashtruar disa kushte për normalizimin e situatës./abcnews.al