Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka ofruar një “dalje të qëndrueshme dhe të sigurt” nga kriza në veri, e cila, sipas tij është shkaktuar “nga strukturat ilegale dhe paralele të Serbisë atje”.
Ai tha se këtë qëndrim e ka dhënë gjatë takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, dhe atë evropian, Mirosllav Lajçak, të mbajtur në Prishtinë më 5 qershor.
“E para është sundimi i ligjit. Kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë të cilët ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm, e të grupeve kriminale. Në Kuvendin e Kosovës unë i kam përmendur 33 emra, 5 të tjerët janë në burg, të tjerët nuk janë. Dhe të gjithë këta kriminelë, ekstremistë të dhunshëm që silleshin atë ditë porsi një milici fashiste do të duhej që sa më parë të përballen me drejtësinë. Ka prej tyre që kanë ardhur nga Serbia në Kosovë. Pra, pika e parë është sundimi i ligjit”, tha Kurti gjatë një deklarimi për media në Mitrovicë.
Ai tha se këto “grupe kriminale” duhet të përballen me drejtësinë për “krimet dhe shkeljet që kanë bërë, prej djegies së veturave e te plagosjet me armë zjarri, shok-bomba e granata dore”.
“E dyta është që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimit të të gjitha trazirave të dhunshme, të kemi zvogëlim të pranisë së policisë nëpër ndërtesa komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme sepse jemi të vetëdijshëm që dalja ka qenë shumë e ulët herën e kaluar. Pra, po zgjedhje të reja, zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe pas përgatitjes së terrenit”, tha Kurti.
Sipas tij, përgatitja e terrenit për zgjedhje të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nënkupton që ato të jenë të lira dhe të ketë fushatë parazgjedhore po ashtu të lirë, fer dhe demokratike.
“Unë jam i gatshëm për diskutime, bisedime, por ritheksoj, republikën tonë demokratike, shtetin tonë të pavarur, Kosovën sovrane nuk e dorëzojmë asnjëherë, për asnjë çmim para milicisë fashiste, para këtyre grupeve kriminale e ekstremistëve”, tha Kurti.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më 6 qershor se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.
Escobar i bëri komentet për gazetarët në Beograd, ku udhëtoi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Një ditë më herët, dy diplomatët qëndruan në Prishtinë.
Kriza në veri, që u përshkallëzua në dhunë, nisi më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Derisa protestat vazhdojnë ende, Escobar dhe Lajçak dolën me tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti: shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi./REL