Teksa veriu ndodhet në kushtet e një klime tejet të rrezikshme, qeveria e Kosovës nuk iu bind thirrjes ditën e enjte të kryeministrit shqiptar i cili propozoi që KFOR duhet ta marrë këtë zonë në protektorat. Albin Kurti vijonte me deklaratat se kjo nuk është formula e duhur për zgjidhjen e krizës, me pretendimin se, mes dy kufijëve duhet të qëndrojë policia e Kosovës.
“Neve na duhet patrullime të përbashkëta mes policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa sa i përket gjërave tjera, ato tashmë janë të mirëvendosura. Kudo në Kosovës – reaguesi i parë është policia jonë, mëpastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe, nuk mendoj se kjo formulë do të ndërrojë”
Këtë të premte kryeministri shqiptar e diskutoi këtë propozim me nivelet më të larta të NATO-s dhe mori dakordësi prej tyre. Dhe nëpasdite Edi Rama e përsëriti edhe njëherë thirrjen ndaj Albin Kurtit.
“Në kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, në këtë fazë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit është alarmant, kemi komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike e kemi gjetur një gatishmëri maksimale”.
Në përgjigje të kritikëve që e shohin këtë propozim si një lëvizje në dëm të Kosovës, Edi Rama dha këtë shpjegim.
“KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundrazi një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi!”
Nderkohe NATO gjatë të premtes vendosi të dërgojë më shumë trupa paqeruajtëse në veri të Kosovës. E para ishte Britania e Madhe e cila ofroi mbështetjen e saj duke transferuar komandon e një batalioni të ushtrisë së saj në NATO.
Pasditen e së premtes sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, pas bisedës telefonike me presidentin serb Aleksandër Vucic theksoi se, për uljen e tensioneve në veri, është i nevojshëm fuqizimi i rolit të KFOR. Sic deklaron Vucic ata ndanë të njëjtin mendim se situaten duhet marrë nën kontroll misioni paqeruajtës i NATO.
“Ne ramë dakord se ka një nevojë për shtensionim të situatës, duhet që KFOR të fuqizojë rolin në Veri dhe Serbia do ta mbështesë padyshim rolin e misionit paqeruajtës të NATO-S. Ne do të donim që të ishte ekskluzivisht KFOR-I që përkujdeset për situtën në Veri.”
Bisedën mes tyre e zbardhi nga Uashingtoni edhe Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare John Kirby. Ai deklaroi se Blinken i ka kerkuar Vucic qe te ul tensionet dhe se Shtetet e Bashkuara po monitorojne dislokimin e trupave serbe pergjate kufirit me Kosoven.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet.”
Presioni i shqiërisë, aleatëve dhe NATO me sa duket dha efekt. Pasdite vone kurti u duk se u terhoq nga pozicjoni i paradites. Ai tha se shtimi i pranise se KFOR ne veri eshte i mirepritur dhe i nevojshem, pasi tha ai, vija kufitare me serbine ishte “shume e gjate”.