Kryeministri Albin Kurti nga Berlini ka folur sërish për vendimin e ri të qeverisë së Kosovës për targat ilegale, si dhe për kërkesën e SHBA-ve për shtyrje. Kurti ka thënë se 21 nëntori është dita kur nis gjobitja e vozitësve me targa ilegale.
“Ajo është dita kur makinat të cilat insistojnë të qarkullojnë me targa ilegale, do të duhet të fillojnë të paguajnë gjoba. Nuk jam i interesuar që dikush të gjobitet, jam interesuar që targat të konvertohen nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia, në targa legale të lëshuara nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai tha se pengesa nuk është mosinformimi por është terrori nga ana e Beogradit që po u bëhet serbëve të Kosovës të cilët sipas tij, kërcënohen dhe sulmohen edhe me djegie të automjeteve të tyre kur ata tregojnë gatishmëri për t’u integruar në sistemin e Kosovës.
Për këtë gjë, Kurti tha se njoftoi përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Sa i përket kërkesës së SHBA-ve për shtyrje të vendimit për targa për 10 muaj, Kurti tha se kjo nuk mund të jetë shtyrje dhe se shtyrje mund të jetë për 3 javë ose 1 muaj. /abcnews.al/