Kurti: Ende s’ka të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

schedule16:50 - 28 Nëntor, 2021

schedule 16:50 - 28 Nëntor, 2021

Për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, ende nuk ka të dyshuar. Policia e Kosovës po merre në pyetje dëshmitarë potencialë dhe njerëz të tjerë që kanë pasur kontakt me shoferin e autobusit dhe dy nxënësve të ndjerë.

Pas ceremonisë mortore së dy të rinjve që u vranë të premten në Gllogjan të Deçanit, kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrat ka bërë një vizitë në Stacionin Policor në Deçan, drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Kreu i ekzekutivit tha se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për të gjetur dorasin apo dorasët. Ai ka deklaruar edhe një herë se qeveria do të ofrojë shpërblimin prej 20 mijë euro, atyre që ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

“Mësova që i kanë shtuar përpjekjet po rritet sasia e informacionit, mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48 orësh, fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen, por nuk po mungon angazhimi. Janë shtuar numri i zyrtarëve, të cilët po merren me hetimin dhe hulumtimet në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, tha Kurti pas këtij takimi.

Edhe pas 48 orësh, prej kur ka ndodhur sulmi ndaj autobusit që po transportonte nxënës, nuk ka të dyshuar.

“Momentalisht nuk e kemi të dyshuarin apo të pandehurin. Posa të kemi informacione me siguri që do t’ju njoftojmë. Po rritet sasia e informacionit me hulumtimin dhe hetimin që po bëhet. Edhe nga vendi i ngjarjes, por edhe nga marrja në pyetje e dëshmitarëve. Por nuk e kemi emrin apo emrat e përveçëm të vrasësit”, ka shtuar ai.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se hetuesit e krimeve të rënda janë të angazhuar në këtë operacion policor dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve potencialë.

“Ne jemi duke punuar në dy, përkatësisht tri pista, të cilat potencialisht mund të jenë motive të ndryshme, të cilat kanë mundur të vijnë deri te vrasja. Ne jemi duke punuar jo vetëm me Stacionin e Autobusëve dhe me njerëzit që kanë pasur kontakt me shoferin dhe viktimat, por edhe me gjithë personat që kanë mundur të kenë kontakt apo informatë rreth rastit”, ka deklaruar Mehmeti.

Pasditen e sotme, me qindra qytetarë kanë marrë pjesë në varrosjen e nxënësve Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj. Dy ditë më parë në këtë rrugë, u sulmua një autobus i linjës Gjakovë-Deçan, i cili po transportonte nxënës. Në këtë sulm u vranë tre persona. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!