“Kurti duhet të jetë më serioz me aleatët”, Lekaj: Deklarata e Escobar, alarm për Kosovën. Duhet të merret seriozisht

schedule16:39 - 21 Shtator, 2023

schedule 16:39 - 21 Shtator, 2023

Gjatë intervistës për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, Pal Lekaj theksoi se kryeministri Albin Kurti duhet të jetë më serioz me aleatët. Nënkryetari i AAK-së shtoi se kokëfortësia e Kurtit ka krijuar krisje me vendet mike të Kosovës si dhe e ka çuar dialogun me Serbinë në qorrsokak.

“Sa i përket Kosovës është synim të anëtarësohet në NATO dhe BE dhe të kemi njohje nga 5-shja evropiane që po heziton. Mirëpo paraprakisht duhet kuptuar drejt dhe qortimet e SHBA dhe BE për rrugën që kemi nisur dhe për ngecjen që kemi në dialog. Ajo që them është se duhet që kryeministri i Kosovës të jetë më serioz sa i përket koordinimit me faktorin ndërkombëtar dhe rëndësisë së dialogut me Serbinë, që t’i trajtojë temat ashtu siç duhet dhe të mos largohet nga miqtë tanë që janë pjesë e suksesit të shtetit të Kosovës. Por ja që jemi një kryeministër kokëfortë në qëndrimet e veta. Ajo që mund të theksoj është se nëse kjo kokëfortësi do të shkonte me zgjidhje të çështjes dhe forcimit të Kosovës nga aleatët dhe shtrirjes së sovranitetit mendoj se kishte qenë në rregull por qëndrimet e Kurtit nuk janë të tilla. Dialogu po shkon në qorrsokak.”, theksoi Lekaj.

Ai thotë se Kosovës nuk i leverdis që të ketë divergjenca me BE-në dhe SHBA-në, të cilat kanë treguar qartazi se nuk do ta dëmtojnë atë por përkundrazi do të mundohen që të zërë vendin e merituar në organizmat ndërkombëtarë. Sipas tij, opozita do të mbështeste Kurtin nëse koordinohet me aleatët.

“Ne do ta përkrahim Kurtin kur ka qëndrime të drejta që mbrojnë sovranitetin e Kosovës dhe më të mirën e shtetit por jo në këtë mënyrë sepse është komplet i pakoordinuar dhe me faktorin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm.”, u shpreh nënkryetari i AAK-së gjatë intervistës.

Ai komentoi edhe deklaratën e Gabriel Escobar, i cili tha “Nuk mendoj se një vend prej 1 milionë e gjysmë banorësh do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat. Mendoj se duhet të ketë një qasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës”.

“Kjo është një alarm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës dhe duhet të merret seriozisht që ne nuk mund të ndërrojmë politikat e SHBA dhe BE, jo pse jemi vend i vogël, përkrahet qëndrimi i drejtë i çdo kryeministri por nuk përkrahin kryeministrin tonë që është në krah të kundërt me miqtë tanë pa dëmtuar Kosovën. Mendoj se kjo ngurtësi e zotit Kurti është skandal më vete që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Dhe ata qytetarë që e kanë votuar mendoj se duhet ta thonë fjalën e tyre në zgjedhjet e ardhshme por dhe ne si opozitë që kërkojmë ndryshim të qeverisë për shkak të veprimeve të zotit Kurti , ku një zyrtar i SHBA, pa dashjen e vet, thotë një fjalë të tillë që është një goditje për shtetin e Kosovës”, përfundoi Lekaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!