Kurti diskuton me deputetët britanikë për agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës

schedule21:57 - 26 Qershor, 2023

schedule 21:57 - 26 Qershor, 2023

Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Mbretëri të Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Parlamentin britanik takoi deputetë të grupeve parlamentare, APPG (All Party Parliamentary Group).

Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe për mënyrat e thellimit të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për situatën në veri të vendit, sipas një njoftimi të qeverisë së Kosovës.

“Në Londër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me Kryetaren e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns. Me deputeten Kearns, kryeministri Kurti diskutoi për qeverisjen, progresin në vend dhe marrëdhëniet dypalëshe. Vëmendje të veçantë iu dha zhvillimeve të fundit në katër komunat veriore në Kosovë dhe sulmeve të organizuara nga grupe kriminale atje ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve, si dhe përfshirjen aktive të Serbisë në tensionimin e situatës deri te rrëmbimi i tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës, për të cilët Serbia duhet të mbahet përgjegjëse ndonëse ata u liruan sot gjatë ditës.

Ai e falënderoi deputeten Kearns për mbështetjen ndaj Kosovës dhe qëndrimet e zëshme për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në të gjithë Evropën”, thuhet në njoftim.