Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të presë në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak mëngjesin e së hënës në zyren e tij në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. Emisari evropian, pas vizitës në Prishtinë, pritet të shkojë edhe në Beograd.
Zyrtarët nga Bashkimi Evropian kanë thënë se vizita e Lajçak në Kosovë e Serbi synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Në vizitat në të dy kryeqytetet, Lajçak pritet të takohet edhe me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin.
Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Ky draft-statut nuk është pranuar nga qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare. Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik./REL