“Kurrë nuk kam qenë budalla, mendoja se duhet vetëm të shënoja gola”

schedule09:48 - 6 Shkurt, 2020

schedule 09:48 - 6 Shkurt, 2020

Mario Balotelli është i veçantë. I vetëm kundër botës shpesh herë. Sulmuesi italian, i cili shpesh edhe ka rënë pre e sulmeve raciste, në rini ka bërë plot veprime të pamatura. Gjithsesi nuk pendohet. Së fundmi ka vendosur të flasë. Nuk është nga ata që jep shpesh intervista, madje zbulon se shpesh herë ka refuzuar edhe të hedhë poshtë shumë lajme që prishnin imazhin e tij.

Këtë ia kishte sugjeruar edhe vetë menaxheri i tij, Mino Raiola. Balotelli sërish kishte heshtur. Në intervistën e dhënë për “Corriere dello Sport”, sulmuesit i vihet në dukje një deklaratë e kohëve të fundit nga menaxheri i tij. “Problemi i Mario është se është i kënaqur me atë që ka bërë”, shprehet Raiola.

Sulmuesi e ka përgjigjen gati: “E ka thënë këtë? Por nuk është kështu, asgjë nuk ka shkuar mirë dhe e di që mund të bëj më shumë. Nuk jam i kënaqur. Jam akoma në kohë për t’i rregulluar gjërat. Mund të kisha qenë më lart, por nuk pendohem për zgjedhjet e mia, as për budallallëqet në rini. Nuk do të kishte kuptim tani”.

 

Mario Balotelli, gjatë intervistës me gazetarin Ivan Zazzaroni | Foto: Corriere dello Sport

Balotelli këmbëngul që ka ndryshuar: “Jam rritur, instinktin e zëvendësova me punë. Pika e kthesës ishte kur kalova te Nice, por edhe sezoni i fundit te Milani ishte një periudhë e mirë formimi për mua. Në vitet e para mendoja se ishte e mjaftueshme të luaja mirë dhe të shënoja gola, pasi këtë gjë kërkon futbolli. Nuk duhet të më kërkonin gjëra të tjera”.

Italiani vijon të tregojë të tjera gjera interesante: “Kam punuar me trajnerë me të cilët pata harmoni, si dhe të tjerë që nuk më ndihmuan. U grinda me Mourinho dhe Mancini dhe po flas për trajnerë të cilët ishin shumë të rëndësishëm për mua. Kur isha 18 vjeç nuk kuptoja, por kurrë nuk kam qenë budalla. A më kanë përshkruar kështu? Njerëzit shohin si më interesante gjykimet negative”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!