Policia e Kurbinit në bashkëpunim me Prokurorinë kanë zbuluar një skemë të tjetërsimit të tokave. Për këtë rast janë proceduar penalisht 11 persona mes tyre ish zyrtare të Hipotekës së Kurbinit dhe përfitues toke.
Ish punonjës të hipotekës në Kurbin dhe përfitues toke janë vënë në pranga nga policia për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Zyrtarët dyshohet se kanë tjetërsuar dhe përvetësuar një sipërfaqe toke prej 68120 m2. Të arrestuar janë Arben Sela, përfitues toke, Ndue Gega, me funksion hartograf në hipotekën e Kurbinit dhe Bashkim Lika, kryetar fshati në Fushë Mamurras. Gjykata e Kurbinit ka dhënë masën arrest shtëpie për ish – Kryetarin e Komisionit të Ndarjes së Tokave në Mamurras dhe për ish – Përgjegjësin e Zyrës së Bujqësisë në Bashkinë Mamurras.
Ndërsa në kërkim me masë sigurie “Arrest me burg” janë edhe dy persona të tjerë. Në gjendje të lirë janë proceduar edhe katër persona si përfitues toke dhe punonjës me detyrë shtetërore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan çertifikata të ndryshme pronësie, Akte të marrjes së tokës në pronësi , çertifikata të ndryshme familjare, plane rilevimi dhe harta treguese për Rrethin e Kurbinit. Operacioni “Hipoteka” u krye nga komisariati i policisë Kurbin, komisariati i Lezhës në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin. Hetimet për këtë rast kanë nisur një vit më parë./abcnews.al