Poeti Petrit Ruka mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 67-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë në zemër, nga e cila vuante prej disa vitesh.
Ai ka lënë pas një sërë veprash letrare me disa botime vëllimesh me poezi. Ndërkohë që ka realizuar me shume se 30 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor.
Një vepër mjaft e njohur e tij është poezia “Kur të vdes unë”, që sot me ikjen e tij tingëllon si një testament i fundit i autorit të veprës.
Petrit Ruka- Kur të vdes unë
Kur të vdes unë mbyll derën dhe pi e pi atë natë
Hapi shishet e verës që nuk pimë dot bashkë
(Uh, sa na mbeten, një kantinë e tërë,)
Pi edhe shamë që të tradhëtova me vdekje
Burrë i pabesë, …si uji në rërë…
Lexo nja dy këngë të miat, të trishta
Pastaj grisi dyshemese
(Pa pikë mëshire, pa lotë,)
Më shaj që nuk të këndova siç e meritoje,
S’t’u bëra poeti më i mirë në botë.
Për inatin tim nxirri gjinjtë jashtë këmishës
Më thuaj: ja ku i kam akoma plot jetë,
(Ç’t’i bëj tani pa ty, zuzar,)
Po tashmë kam ikur e si të ta them
Që për to do të rrotullohem
Edhe brenda në varr…
Kur të vdes unë mos ma fal
tradhëtinë e fundit me vdekje,
(Atë më të poshtrën, më të pabesën.)
Veç mbaje një sy hapur tek dritarja, se s’ dihet,
Mund të bëj marrëveshje …e të vij
…Me vesën…
m.v/abcnews.al