Vllaznia largohet nga “Selman Stërmasi” me 3 pikë, teksa në Klasiken e Shqipërisë arriti të triumfonte përballë Tiranës me shifrat 2-1.
Pas ndeshjes për “Oversport” trajneri i kuqebluve, Mirel Josa theksoi se është i kënaqur me pikët, por ka rezerva për pjesën e dytë të lojës, ndërsa ndër të tjera ka zbuluar se çfarë iu dha lojtarëve gjatë pushimit.
“Ishte shumë e vështirë, që në fillim. Bëmë një pjesë të parë të mirë. Por kam rezervat e mia kur ndeshja shkoi 2-0 dhe kishte akoma lojë. Ne duhet ta kishim goditur Tiranën, sepse ishim në superioritet numerik. Duhet të shënonim golin e tretë. Pasi shënoi Tirana edhe ne mbetëm me 10 lojtarë. Kundërsulmet duhet të ishin më efikase. Kaina bëri një punë të madhe, por duhet të vertikalizonim më mirë.
Çfarë i the skuadrës në pushim? Nëse lëmë pikë në këtë ndeshje do t’iu vras. Kur rezultati është 0-2 edhe mund të humbasësh ndeshjen, kështu është futbolli. Ndonjëherë kur nuk të kuptojnë, detyrohesh të dalësh nga vetja.
I përgëzoj lojtarët për paraqitjen, por kam rezerva për qarkullimin dhe vertikalizimin e lojës. Përgjumja e skuadrës? Ne duhet të ndryshojmë mentalitetin dhe duhet të shënojmë gola atëherë kur duhet”, ka thënë Josa. /f.a/abcnews.al