Carlo Ancelotti firmosi një kontratë 3-vjeçare me Bayern Munchen në vitin 2016, por aventura e tij nuk zgjati shumë. Trajneri italian fitoi një titull dhe dy Superkupa, ndërsa sezoni i dytë nisi me probleme.
Humbja 3-0 përballë PSG në Champions League solli edhe shkarkimin e tij nga posti i trajnerit të ekipit bavarez. Ishte shtatori i vitit 2017 dhe Karl-Heinz Rummenigge i rikthehet edhe njëherë atij momenti.
Shefi Ekzekutiv i “gjigantit” gjerman zbulon se ka qarë gjatë shkarkimit të Ancelottit. Në një prononcim nga Festivali i Sportit që zhvillohet në Trento, Rummenigge thekson se u emocionua shumë nga fjalët e trajnerit të famshëm italian dhe nuk e përmbajti veten.
“Kur e shkarkuam Carlon, m’u mbushën sytë me lot dhe më vinte të qaja. Ai u ngrit nga karrigia e tij dhe më përqafoi. Më tha se nuk do të isha më shefi i tij, por që do të mbetesha një mik i mirë. Ishte një fjalim që nuk e prisja, më bëri të qaj… “, zbulon Karl-Heinz Rummenigge. /abcnews.al