Propagandë me ligje:
Sot Kuvendi i Shqipërisë votoi aktin normativ nr.1, datë 31.1.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, shkruan gazetari, historiani Kastriot Dervishi.
Më tej Dervishi thekson se miratimi i këtyre ligjeve është “Një tregues i rëndësishëm i një shteti të kalbuar, jofunksional dhe ligjet bëhen për efekte propagandistike”.
Dervishi shkruan se Shqipëria ka pasur dhe ka ligje të qarta, të cilat e bëjnë krejt të panevojshëm ligjin propagandistik që u kalua me akt normativ sikur të ishte ndonjë hata e madhe.
Por le të kujtojmë ligjet e vjetra dhe ato në fuqi.
“Nëse bota e krimit arriti të hyjë në Kuvendin e Shqipërisë, këtë e arriti pikërisht nga politika e atyre që bëjnë propagandë edhe me ligje. Le të kujtojmë ligjet“, thotë Dervishi:
-Ligji nr.9284, datë 30.9.2004, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”.
Objekti ligji kishte “rrethin e personave te dyshuar si pjesëmarrës ne krimin e organizuar, si dhe kompetencat dhe kriteret për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive qe lidhen me këto krime”.
Qëllimi i ligjit ishte “parandalimi dhe goditja e krimit te organizuar nëpërmjet zbulimit, identifikimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme të personave të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar, si dhe përcaktimi i mënyrës se përdorimit te këtyre pasurive”.
-Ligji nr.10.192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Ky ligj shfuqizoi ligjin e vitit 2004.
Objekti i ligjit ishin “procedurat, kompetencat dhe kriteret për zbatimin e masave parandaluese kundër pasurisë së personave, që janë subjekt i këtij ligji, si të dyshuar për pjesëmarrje në krimin e organizuar dhe trafikim”.
Qëllimi i ligjit ishte “parandalimi dhe goditja ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale”.
-Ligji nr.70/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10.192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar.
Ky është ligji në fuqi.
“Ligji u propozua nga një deputet. Asgjë nuk e ka penguar dhe nuk e pengon shtetin për të goditur krimin pa pasur nevojë e veprimeve karagjoze propaganda”, shkruan Dervishi.
Sipas Dervishit, miratimi i aktit normativ më tepër ngatërron se sa zgjidh problematikat. “Kontrollin në banka, kadastra, biznese, etj, shteti nëse funksionon për 5 minuta e kryen fare thjeshtë”, shkruan ai./abcnews.al