Është 98 vjeçe dhe ende vijon të punojë mbi makinën qepëse duke realizuar modele të ndryshme e të shumëllojshme. Melpomeni Kuvarati ushtron profesionin e rrobaqepses prej 81 vitesh. Ishte 17 vjeç kur nisi për herë të parë të realizojë dhe krijojë veshje të ndryshme.
Me një memorie për t’u patur zili, Melpomeni thotë se ky ka qenë një pasion rinor, ndërsa më vonë u kthye në zanat profesionist, ku pas burgosjes së babait të saj, ajo ishte e detyruar që falë të ardhurave që fitonte, të mbante të gjithë pjesëtarët e familjes.
Origjina e saj është nga fshati Dervician i bashkisë Dropull, aty ku emri i saj do të njihej shumë shpejt falë kërkesave të ndryshme, duke nisur nga realizimet më elementare e deri tek pajat e nuseve apo kostumet tradicionale të zonës.
Me kalimin e viteve ajo u transferua në Gjirokastër, ku për vite me radhë punoi pranë ndërmarrjes së punimit të veshjeve.
Melpomeni thotë se brezi i ri nuk preferon të mësojë këtë zanat.
98-vjeçarja jeton e vetme mes kujtimeve shekullore, ndërsa tregon dhe për vështirësitë në mungesën e mjeteve kur nisi të ushtrojë këtë zanat.
Fotografitë e familjes së saj dhe mjetet e punës bien në sy porsa hymë në banesë ku Melpomeni të mirëpret me ngrohtësi dhe fisnikëri të vërtetë, që vijon e sfidon vitet që ka mbi shpinë./abcnews.al

