Kur fundin e përrallës e shkruan vetë: David Bentley, Beckhami i ri që u “lodh” nga futbolli

schedule20:00 - 3 Janar, 2022

schedule 20:00 - 3 Janar, 2022

Jakë e ngritur, me bluzën e idhullit Eric Cantona dhe direkt në stërvitje. Ju prezantojmë me atë që nga mosha 7-vjeçare vendosi që flokët t’i priste vetë: David Bentley. Nuk ishte tifoz me asnjë dhe Arsene Wenger nuk ia hodhi shumë sytë, por francezi mund të justifikohet me faktin që Arsenali i vitit 2004 ishte një makineri që nuk njohu humbje.

David Bentley ishte një lojtar, që ndryshe nga Mario De Castro e Peter Knowles, për të cilët duhet të lundrosh në botën e internetit për të mbledhur informacion, njihet  nga një pjesë e mirë e sportdashësve të ditëve të sotme.

E ka lënë futbollin në vitin 2013, pa i mbushur 30 vjeç, sikurse dy personazhet e mësipërme dhe Carlos Roa. U lodh nga sporti popullor dhe shumë i dashur në Angli dhe kudo. Vendimi i tij ishte si një rrufe në qiell të hapur, pasi askush nuk e priste diçka të tillë.

Ishin disa momentet që ndikuan në hapin final dhe në fund iku pa pengje. Historia e Bentley është pak e shumë si ajo e Hidetoshi Nakata, në lidhje me arsyen pse e la futbollin, dhe krahasohet me David Beckham për golat e bukur. Në aspekte të tjera këto dy personazhe nuk kanë shumë lidhje.

 

Bentley kur ishte pjesë e Blackburn Rovers

Prej shtatë vitesh David nuk luan më futboll dhe aventura e tij e fundit ishte me skuadrën e Blackburn, që i dha edhe famën. Hapat e parë në karrierë i kishte hedhur tek Arsenali, ku u formua si futbollist. Në vitin 2001 zbarkoi në ekipin e parë.

Topçinjtë e kishin nën kontratë deri në vitin 2006 dhe në dy raste e huazuan te Norwich dhe Blackburn. Te londinezët ishte e pamundur të luante dhe mjafton të kujtosh se nën urdhrat e Arsene Wenger ishin emra si Thierry Henry dhe Denis Bergkamp, në një ekip që bënte ligjin në Angli në ato vite.

“Nuk kisha problem me faktin që më krahasonin me Denis, por isha i terrorizuar kur stërvitesha me aq shumë lojtarë të mirë”, tregonte kohë më parë Bentley, në një intervistë për “FourFourTwo”.

Ish-mesfushori zbulon se Wenger dhe shumë të tjerë ishin habitur kur vendosi të largohej nga Arsenali. “Ika dhe disa menduan se isha i çmendur. Ndjeva se po të qëndroja aty, atëherë do të përfundoja si një hiç. Kisha frikë dhe jam i bindur se edhe sot ka plot të rinj që ndjehen sikurse unë atëherë”, rrëfen ish-mesfushori.

Bentley mori minuta te Norwich dhe i shërbyen, ashtu sikurse te Blackburn, ku edhe firmosi përfundimisht më pas. Një ditë pas nënshkrimit të kontratës, ai shënoi tre gola në fitoren 4-3 që skuadra e tij arriti kundër Manchester United. Hera e parë që dikush e bënte diçka të tillë në epokën e re të Premier League.

“Ishte shumë e veçantë. United ishte një ekip i madh në atë kohë dhe të shënoje tre gola ishte diçka e jashtëzakonshme. Hyra në fushë i vendosur për të bërë diçka. Luajta në sulm dhe gjithcka shkoi mirë. Atë natë të gjithë dolëm në Manchester. Atëherë nuk kishte rrjete sociale dhe ishim më të lirshëm, mund t’i mbanim edhe pak flokët e gjata (qesh). Twitter dhe Instagram tani ka ndikuar në lirinë e futbollistëve”.

Pas tre golave nisën edhe krahasimet, duke e cilësuar Bentley një Beckham të ri. Në fakt edhe vetë e kishte ndezur pak atmosferën, duke u shprehur se “Unë jam këtu për të marrë vendin e Beckham dhe kjo është ajo që unë përpiqem të bëj”.

David i rikthehet sërish asaj deklarate dhe nuk bën prapakthehu. “Nuk pendohem për asgjë. Çfarë të thosha, që jam këtu për të pastruar këpucët e Beckham? U përpoqa të merrja vendin e tij, apo nuk ndodhi kështu? Njerëzit donin që unë të thoja se isha aty të mësoja prej tij, por nuk isha unë ai lloj personi”.

 

Steve McClaren, trajneri i Anglisë në ato vite, e vuri re mesfushorin dhe e ftoi me Anglinë B, në një ndeshje kundër Shqipërisë. Stuart Pearce e donte tek Anglia U21, në kampionatin evropian, por David refuzoi dhe u justifikua me lodhjen, pas një sezoni të gjatë.

Diskutimet ishin të shumta dhe Pearce e kritikoi atë. “I thashë që nuk jam dakord me të, në asnjë lloj mënyre. Ndjehem sikur kam qenë një nga mbështetësit e tij. Ai nuk ishte pjesë e Anglisë U21 kur e mora unë drejtimin e ekipit. E përfshiva në ekip dhe mendoj se ishte me siguri nga lojtarët më të mirë, në ndeshjet që kemi zhvilluar.

Me këto mendime ne kokë, telefonova Steve McClaren dhe i thashë që ta mbante një sy tek ai. Fola me të dhe më tha se vij nga një sezon shumë i gjatë dhe me shumë mundësi mund ta digjte për sezonin tjetër, ndaj edhe donte të mos ishte pjesë e Europianit.

Të luash për Anglinë do të thotë gjithçka. Të përfaqësosh vendin tënd nuk ka të bëjë me atë që të përshtatet, ka të bëjë me atë që ka nevojë vendi yt, në sport, apo edhe në ushtri. Kur vendi yt të thërret, ju vendosni të parin atë dhe më pas veten. Nga këndvështrimi im, të thuash se jam i zhgënjyer është pak”.

 

Mark Hughes, trajneri i Blackburn, i doli në mbrojtje lojtarit të tij, me argumentin se nëse Anglia do të shkonte deri në finale, atëherë për Bentley do të kishte vetëm gjashtë ditë pushim mes sezoneve. Vetë lojtari, vite më vonë tha: “Kisha luajtur 60 ndeshje atë sezon, po të shkoja në Europian nuk do të kisha asnjë ditë pushim. Blackburn gjithashtu luante në Intertoto.

I thashë trajnerit, Pearce, se nuk mund ta bëja dhe se e respektoja Anglinë U21. E njoh trupin tim dhe nuk mund t’ia dilja. Ai nuk më tha gjë kur folëm, kurse të nesërmen ishte kudo në gazeta, duke më shkatërruar mua. Ai madje e krahasoi vendimin tim me ushtarët që luftojnë në Afganistan. Kjo ishte e çuditshme”.

Ai moment ndikoi te David, i cili nisi të mos e donte më njëlloj futbollin: “Çfarë presioni është ky?! Unë mund edhe të kisha thënë që jam i dëmtuar dhe Blackburn nuk më lejon. Mora Pearce në telefon dhe u tregova i sinqertë me të. Dhe shikoni se çfarë mora mbrapsht”.

Sigurisht vendimi i tij bëri që të mos merrej në konsideratë nga kombëtarja, deri në momentin që e mori drejtimin Fabio Capello. Ky i fundit i kërkoi në vitin 2008 që të largohej nga Blackburn, nëse donte të rritej edhe më shumë. Tottenham pagoi 22 milion euro, por David pati një rënie dhe nuk tregoi vlerat e tij.

 

“Ishte një periudhë e çuditshme. U bashkova me Juande Ramos dhe mendova se do të ishte një Wenger tjetër, por ishte një makth. Gjithçka shkoi keq. Të gjithë miqtë e mi ishin tifozë me Spurs dhe kishin emocione që unë do të luajë për ekipin e tyre të zemrës.

Doja të ishte pjesë e diçkaje të madhe me Tottenham, por nuk ndodhi”. Asokohe Jose Mourinho shfaqi interes dhe e donte në ekip, fillimisht te Chelsea e më pas tek Interi. Gjithsesi gjërat shkuan ndryshe dhe një festë i përkeqësoi gjërat edhe më shumë.

David nuk e harron kualifikimin e Tottenham në Champions League, pasi mposhtën Manceshter City. Festa e fitores nuk ishte e duhura, pasi lojtarët lagën me ujë trajnerin Harry Redknapp. “Mendova se ishte i lumtur, por jo. E shikoi si një mungesë respekti. E bëmë diçka të tillë sepse e donim shumë.

Kisha luajtur dhe isha i përfshirë shumë, edhe pse më parë kishte zgjedhur Aaron Lennon para meje. Mund edhe të mbaja inat me të, por jo. Isha pjesë e asaj loje dhe për shkak se djemtë më kishin qejf, isha unë ai që e laga. Kjo nuk i pëlqeu dhe u zhgënjeva, pasi me të vërtetë unë e kisha qejf atë”, tregon Bentley.

https://www.facebook.com/SoccerAM/videos/1890191914337767/

“Spurs”-at e çuan në huazim te Birmingham dhe më pas te West Ham. “Po e shijoja atë eksperiencë, por pësova të parin dëmtim që do më linte gjatë jashtë fushave të blerta. Mendova ta mbyll aty”, tregonte Bentley, i cili nuk e mori vendimin final gjatë eksperiencës me “Çekiçët”.

Një ofertë nga Rostov në Rusi e joshi: “Financiarisht ishte një propozim tërheqës dhe e doja një lëvizje larg. Por kisha menduar ta lija futbollin. Pastaj mendova se edhe tre katër muaj të tjerë ishin diçka e mirë, si dhe dikush më tha që do isha anglezi i parë që do të luaja në Rusi. U binda dhe shkova”.

Pas eksperiencës me Rostov, ish-mesfushori u kthye në Angli dhe mori një ofertë nga Blackburn. “Pse jo”, mendoi David, i cili shënoi dy gola në “Ewood Park” dhe pas pesë ndeshjesh mori vendimin për ta mbyllur me futbollin. Gjërat kishin ndryshuar nga herë e parë kur kishte luajtur aty.

“Klubi që unë njihja, nuk ekzistonte më. Mendoj se ishte gozhda e fundit mbi arkivolin tim. Më mbaroi dashuria për futbollin”. Vendimin e mori një takimi kundër Cardiff, kur skuadra e tij u mposht me rezultatin 3-0. David do të zbulonte më pas gjithçka nga ajo ditë.

 

“Babai im ishte në ndeshje dhe e dinte që isha shumë i tendosur. Kisha mbetur i përfshirë mes gjithë tensionit politik. Luajta shumë keq dhe në pushim të ndeshjes plasi sherri në dhomën e zhveshjes. Më erdhi shumë keq. Unë do ta mbroja gjithnjë veten dhe lojtarët, por këtë radhë mendova se nuk ia vlente as të përpiqesha ta bëja këtë gjë.

U kthyem në fushë, eca për 15 minuta dhe u zëvendësova. Hodha sytë nga babai im në shkallë dhe vetëm tunda kokën. M’u mbushën sytë me lot dhe dola nga fusha. Kur po hiqja parakalçot, thashë: ‘Është ndeshja e fundit që luaj.’ Ashtu ndodhi. Mori fund aty”, tregon Bentley.

Sigurisht, pasi mori vendimin dha edhe një deklaratë në media, ku sqaronte gjithçka: “Kam hequr dorë nga futbolli. Kam marrë vendimin që t’i jap jetës time drejtim tjetër. Tani kam dy fëmijë të vegjël, binjakë, dhe dua të përqendrohem te familja.

Dashuria ime për futbollin nuk është ajo e fillimit dhe nuk dua të luaj futboll vetëm për faktin se më japin para. Nuk ka qenë për mua kurrë ky një opsion. Tani jam përfshirë në hapjen e një restoranti në Spanjë dhe do ta sjellim edhe në Britaninë e Madhe.

 

Siç edhe mund ta kuptoni, kam shumë punë për të bërë. E kam shijuar çdo minutë, por nuk dua të vazhdoj ta çoj familjen time në vende ku nuk duam me të vërtetë të jemi. Jeta është shumë e shkurtër për ta bërë diçka të tillë.

Tani është më shumë robotike kjo lojë, janë futur mediat sociale dhe shumë para kanë hyrë në botën e futbollit. Urrej ta them, por futbolli u bë i mërzitshëm, i parashikueshëm, me llogari. Mund të firmosja kontrata edhe për 3-4 vite të tjera, por nuk ishte opsion për mua”.

Gjatë karrierës së tij, Bentley kishte provuar shumë gjëra, ndërkohë që nuk e mohon një ves që kishte. Ai ka veçuar edhe ngjarjet më të rënda që i kanë ndodhur. E lodhën dhe në fund e kishte më të lehtë për të varur këpucët në gozhdë.

“Më vodhën makinën, por më keqja që më kanë bërë është kur isha te Tottenham, kur dikush më dhjeu në çantën time të dushit. E hapa atë dhe pashë një copë m**i brenda. Mendoj se ma bëri Jonathan Woodgate. Çdo ditë ndodhnin gjëra të këqija. Njëherë shkova në stërvitje me çizme pelushi dhe Harry më pa e më tha: ‘Hiqmi sysh!’.

 

“Thonë se vendosja 100 baste në ditë? Po, isha pak qejfli bixhozi. Ishte një problem për mua bixhozi, luftova me të. Normalisht është një ves i keq. E nisa me një mal me para në llogari dhe përfundova me 70 sterlina”, tregon me sinqeritet David, i cili pasi la futbollin u zhvendos në Spanjë, në Marbella

Aty, së bashku me menaxherin e tij, Rob Seagal, nisën të merren me biznes, duke hapur fillimisht një restorant dhe më pas duke u zgjeruar në Britaninë e Madhe, por edhe në Belgjikë. Bentley, nuk donte më lekët e futbollit dhe gjeti një tjetër mënyrë jetese, që i ofronte më shumë se sa futbolli. Me siguri, sikurse edhe pas largimit nga Arsenali, për të kanë thënë se është i çmendur… / VLADIMIR PRENGA – abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!