Kombëtarja jonë gjithmonë ka zhvilluar ndeshje fantastike ndaj Gjermanisë, pavarësisht diferencave të mëdha që kanë ekzistuar midis ekipeve. Një ndeshje që ka mbetur në histori është ajo e 17 dhjetorit të vitit 1967.
Në “Qemal Stafa” zbarkonin nënkampionët e botës, të cilët e kishin detyrim fitoren për t’u kualifikuar në Euro 1968. Diçka e tillë nuk ndodhi, kuqezinjtë e drejtuar nga i madhi Loro Boriçi në stol dhe fantastiku Panajot Pano në fushë, zhvilluan një takim heroik dhe gjithçka u mbyll në barazim 0-0.
Festë në kampin tonë dhe “Pancerat” jashtë një kompeticioni, për herë të parë dhe të fundit deri tani. Sot është 53-vjetori i asaj ndeshje të paharrueshme, teksa FSHF e ka kujtuar me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“53 vjet më parë (17 dhjetor 1967), Shqipëria barazonte 0-0 me Gjermaninë Perëndimore në ndeshjen e luajtur në ‘Qemal Stafa’ e vlefshme për eliminatoret e Euro ‘68. Një rezultat historik për kombëtaren shqiptare ndaj nënkampionëve të botës asokohe e që i la jashtë finaleve të Europianit.
View this post on Instagram
Me të madhin Loro Boriçi në postin e trajnerit, kombëtarja kuqezi zbriti në fushë me këtë formacion: Koço Dinella, Frederik Gjinali, Lin Shllaku, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Medin Zhega, Frederik Jorgaqi, Ramazan Ragami, Ali Mema, Teodor Vaso, Panajot Pano.
Kombëtarja shqiptare ka luajtur një nga ndeshjet më të bukura ndonjëherë, madje duke shënuar edhe një gol në minutën e 53-të, që për habi nuk u quajt i rregullt nga arbitri austriak, Ferdinand Marschall“, lexohet në postimin e FSHF-së. /abcnews.al