Mediat turke kanë zbuluar detaje në reja në lidhje me marrjen në pyetje të dy personave nga Tirana me akuzën se kanë ndihmuar të fshihet në Shqipëri bosin e kriptomonedhës turke “Thodex”, i cili kërkohet nga Turqia për mashtrim.
Faruk Fatih Ozer u largua nga Turqia në 18 prill me një avion të linjes Stamboll-Tiranë duke u pritur këtu nga një çift shqiptarësh sipas mediave turke. Policia shqiptare sipas tyre, bashke më një oficer turk është në kërkim të Faruk Fatih Ozer, cili dyshohet se fshihet ende këtu duke mbajtur me vetë më shumë se 100 milion dollar pasuri në formë kriptomonedhash, raporton abcnews.al.
“Hurriyet” raportoi në mëngjes se policia kishte arrestuar Altjan Canajn dhe Edevaldo Haxhiun pasi kanë rezultuar se kishin ndihmuar turkun të fshihej.
Lexo edhe: EMRAT/ Kush janë dy shqiptarët që ndihmuan bosin e kriptomonedhës turke të fshihej në Tiranë
Ndërkohë, që policia shqiptare nuk ka dhënë ende asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë operacion ndërkombëtar, media tjetër turke “Haber7” ka publikuar dëshminë e Canajt. Sipas “Haber7”, Canaj është shprehur para policëve se nuk e dinte që turku ishte në kërkim dhe se këtë e ka mësuar nga mediat.
Ndër të tjera, ai shprehet se pasi mësoi se turku ishte i përfshirë në një çështje të madhe mashtrimi, ai është takuar sërish me Edevaldo Haxhiun për të diskutuar në lidhje me çështjen në fjalë.
Faruk Fatih Ozer u arratis nga Turqia duke ardhur në Shqipëri në 18 prill duke mbyllur gjithashtu shërbimet e kompanisë së tij “Thodex”, në të cilën kishin investuar më shumë se 350 mijë persona, pjesa më e madhe e tyre, turq. Mendohet se dëmi i shkaktuar ndaj tyre është 2 miliard dollar, ndërsa një pjesë të parave ai i mban me vete në një server të posaçëm në formë kriptomonedhash.
Autoritetet turke në anën tjetër kanë vazhduar operacionet intensive për kapjen e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex”që dyshohet se fshihet prej dy javësh në Shqipëri bashkë me një server, brenda të cilit mbahen 108 milion dollarë në kriptomonedha.
Mediat turke raportojnë se policia ka dërguar një ekip prej pesë personazh në Ballkan, ku njëri prej tyre është duke punuar me autoritetet shqiptare me qëllim gjetjen dhe kapjen e Faruk Fatih Özer, i cili dyshohet se ka zhdukur rreth 2 miliard dollar të më shumë se 390 mijë investitorëve në kriptomonedhën turke “Thodex”, përcjell abcnews.al.
Ndërkohë, katër të tjerë kanë shkuar në Kosovë, Maqedoni, Bosnje dhe Mal të Zi ku dyshohet se turku mund të arratiset pasi po i bëhet një ndjekje nga afër në Shqipëri.
Më herët, policia zbuloi edhe vendndodhjen e tij duke dhënë edhe adresa.
Arratia
Media turke “EnSonHaber” shkruante se fill pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Özer u vendos në një hotel pranë Zogut të Zi në Tiranë duke prenotuar tre netë, por se doli prej andej natën e dytë duke u fshehur në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë. Ajo ishte shtëpia e çiftit që e priti në Rinas.
“EnSonHaber” raporton duke ui referuar burimeve nga policia turke se Faruk Fatih Özer nuk ndejti shumë aty pasi u zbulua nga autoritetet duke u transferuar në një tjetër zonë, pikërisht në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet. Por nuk ishte e thënë për turkun e famshëm pasi edhe ky vend ku ai fshihej u zbulua nga policia duke bërë që të transferohet sëfundmi në zonën e “21 Dhjetorit” ku edhe ka humbur gjurmët, raporton abcnews.al.