Kur autoambulanca merr jetën! Në pak muaj 4 aksidente, në 3 raste fajtorë shoferët e spitaleve

schedule15:16 - 31 Maj, 2020

schedule 15:16 - 31 Maj, 2020

Misioni i autoambulancave është që të transportojnë të sëmurë apo të aksidentuar në spitale pasi çdo sekondë e fituar shpëton jetë.

Po në vendin tonë jo gjithmonë ndodh kështu. Këtë vit mjetet e spitaleve janë bërë vetë protagonist të aksidenteve e në të paktën 3 nga 4 raste kanë qenë shoferët e autoambulancave fajtorë. I fundit me një viktimë u shënua në autostradën Lushnje – Fier.

“ABC News” sjell një kronologji të ngjarjeve duke përfshirë muajin mars- deri në maj të këtij vitit. Periudhë kohore ku përfshihen rastet fatale të aksidentimit të autoambulancave.

25 maj 2020

Një pacient që humb jetën jo nga sëmundja por nga aksidenti në të cilin u përfshi autoambulanca që e transportonte për në spital i ka dhënë përmasa tragjike vazhdës të aksidenteve që ndodhin këtu në autostradën Lushnje-Fier. Në 25 maj këtu në fshatin Krutje një autoambulancë përfshihet në aksident me pasojë vdekjen e pacientit dhe plagosjen e drejtuesit të saj.

“ABC News” mësoi se pas ekspertizës fajtor u shpall drejtuesi i mjetit të Spitalit të Sarandës që po transportonte në Tiranë  një të sëmurë për mjekim më të specializuar. Ai kreu një parakalim të gabuar dhe përplasi një benz. Shoferi u pezullua nga detyra dhe është arrestuar. Ndërsa çështja vijon të jetë në gjykim.

16 Maj 2020

Një tjetër parakalim i gabuar ndodhi në 16 maj, në aksin Patos-Fier një tjetër drejtues autoambulancë u përplas me një mjet Toyota. Në ambulancë ishte vetëm shoferi i mjetit. Goditja duhet të ishte e fortë dhe shpejtësia e lartë për sa kohë që mjeti i spitalit të Patosit hyri brenda kësaj magazine. Po fajtor u shpall drejtuesi i Toyotës.

26 Prill 2020

“Në muajin prill një autoambulancë u përplas me një benz brenda të cilit ndodheshin 4 persona. Ekspertiza nxori fajtor drejtuesin e mjetit të spitalit të Durrësit.

Për fat vetëm një qytetar që udhëtonte në benz me 4 persona të tjerë u plagos lehtë. Shoferi i autoambulancës po hetohet në gjendje të lirë dhe nuk është pezulluar nga puna.

7 Mars 2020

I dehur dhe me shpejtësi mbi normat në një zonë të banuar. I rëndë për nga papërgjegjshmëria e drejtuesit të autoambulancës ishte dhe aksidenti në orët e mbrëmjes të 7 marsit në Elbasan.

7 mars 2020, numri 127 njoftohet që në dalje të qytetit të Elbasanit një familje kishte nevojë për përkujdesje shëndetësore. Nga urgjenca e spitalit të Elbasanit niset një autoambulancë që kishte dhe stafin e mjekëve që do jepnin ndihmë. Por duke shkuar për ti dhënën ndihmë rruga e autoambulancës ndërpritet, sepse drejtuesi i saj përplaset me një mjet tip golf ku udhëtonin tre persona. Shkak i aksidentit nga hetimet e kryera rezultoi se drejtuesi i autoambulancës ishte i dehur.

Prej këtij aksidenti u lënduan një çift bashkëshortes që udhëtonin me mjetin tjetër. Shoferi i Urgjencës të Elbasanit po gjykohet për dy akuza shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë lëndimin e tre pasagjerëve të mjetit tjetër dhe për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit. Fillimisht ai u ndalua nga policia, por gjykata i dha masën detyrim paraqitje.  Ndërsa drejtoria e spitalit e pezulloi nga puna deri sa drejtësia të japë për të vendimin e formës së prerë.

Veç ndërgjegjes personale që duhet të këtë çdo i punësuar e në këtë rast drejtuesit e autoambulancave jo vetëm që nuk duhet të kenë vese pasi marrin në qafë jetë njerëzish që duhet ti shpëtojnë, sipas një prej drejtuesve të një auto-shkolle në Fier ata duhet të punësohen në bazë të disa kritereve të forta.

“Mungon përvoja e stazhit të punës. Mund ta ketë marrë prej 10 vitesh patentën dhe nuk i ka dhënë mjetin. Sa më gjatë të ketë punuar diku aq më mirë punon në punë të tjera të tilla specifike. Kur është mjet i ri i shmang aksidentet.

Patenta e tipit D duhet që të punosh tek ambulanca kategoria e lartë dhe eksperienca. Rregullorja jonë është marrë nga italianët. Po u zbatua rregullorja dhe sinjalistika s’ka problem se rrugët i kemi tamam. duhet te marrë 3 patenta shërbimi publik duhet të ketë kategori më të lartë të patentës. B,C,D transport udhëtarësh”, u shpreh ai./abcnews.al