“Kuqezinjtë” e nëntorit/ Kundër Çekisë “vlen” vetëm fitorja, Shqipëria kërkon vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve

schedule16:36 - 15 Nëntor, 2024

schedule 16:36 - 15 Nëntor, 2024

Pritjes i ka ardhur fundi, ndërsa numërimi mbrapsht ka nisur deri në nisjen e topit të parë për ndeshjen vendimtare të Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Kuqezinjtë do të presin në shtëpi Çekinë, në përballjen direkte për vendin e parë në Grupin 1 të Ligës B.

Fitorja është rezultati i vetëm që do t’i jepte Silvinjos dhe  të besuarve të tij kryesimin, ndërsa me barazim, shpresat e kombëtares shqiptare do të vareshin në një kombinim rezultatesh në ndeshjet e fundit të grupit.

Kjo për shkak të situatës aktuale në tabelën e renditjes.

Çekët kryesojnë me 7 pikë, ndërsa Shqipëria renditet në vendin e tretë me një pikë më pak. Në mes qëndron Gjeorgjia, në të njëjtin nivel me kuqezinjtë, por me golavarazh më të mirë.

Në këtë mënyrë, Silvinjo dhe skuadra e tij e dinë mirë se çfarë duhet, ndërsa tekniku brazilian mund të mbështetet te e shkuara jo shumë e largët.

Në sfidën e fundit të luajtur në “Air Albania”për eliminatoret e “Euro 2024”, Shqipëria mundi Çekinë me rezultatin e thellë 3-0, një sukses që vendosi shumë në kualifikimin e kuqezinjve në finalen e turneut.

Një precedent shpresdhënës për kombëtaren, që mjafton të përsërisë të njëjtën paraqitje, pasi “njerëzit” në fushë do të jenë thuajse të njëjtët.

Me një fitore kundër Çekisë, Shqipëria do të kishte fatin në dorën e saj, pasi edhe ndeshjen e fundit atë kundër Ukrainës do ta luajë sërish në shtëpi më 19 nëntor. /abcnews.al