Kuqezinjtë debutojnë me humbje/ Munden 4-0 nga Portugalia në Europianin U17

schedule08:41 - 20 Maj, 2025

schedule 08:41 - 20 Maj, 2025

Ëndrra ishte shumë më e madhe sesa realiteti. Tifozët shqiptarë shpresuan shumë që kombëtarja U17 ta niste me sukses aventurën e saj në fazën finale të Kampionatit Europian, por ndodhi e kundërta.

Në debutimin tonë në një nivel të tillë, edhe pse u luajt në “Arenën Kombëtare” në kryeqytet, diferenca me Portugalinë doli e frikshme. Skuadra që ka dalë 6 herë kampione e Europës triumfoi me shifrat 4-0, ndonëse pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0. Autorë të golave për portugezët ishin Kuintas, Mide, Kabral dhe Soares.

Trajneri I kuqezinjve, italiani Andrea Tedesko, sikur e parandjeu se çfarë do të ndodhte kur tha para ndeshjes se lojtarët tanë ishin përpara një situate të papritur, që nuk e kishin provuar kurrë më parë.

Edhe pse disa nga futbollistët luajnë në liga të rëndësishme si në Itali, Angli, Gjermani, sërish kundërshtari ishte shumë më tepër skuadër. Portugalia bëri 21 gjuajtje gjithsej, dhe 7 prej tyre në kuadrat, ndërsa ekipi ynë e goditi portën vetëm një herë.

Po ashtu, zotërimi I topit ishte në favor të rivalëve me 65 për qind. Mëkat për mijëra tifozë që mbështetën kuqezinjtë në stadium. Ndeshja e dytë e Shqipërisë U17 në grupin A të Europianit do të luhet të enjten në orën 18:00 në “Elbasan Arenë” përballë Gjermanisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!