Kupa e Shqipërisë/ Kryesuesit nuk falin, Egnatia, Partizani e Tirana kapin çerek-finalet

schedule14:57 - 24 Janar, 2024

schedule 14:57 - 24 Janar, 2024

Natyrisht po priteshin disa rezultate surprizë, por jo kur bëhet fjalë për kryesuesit e Superiores. Egnatia, Tirana e Partizani kanë arritur të bëjnë “detyrën”, në raundin e 1/8-ve, të Kupës së Shqipërisë, duke mundur kundërshtarët e tyre, për të avancuar në një fazë më të nxehtë të kompeticionit, ku natyrisht mund të rezervohen edhe përballje mes favoritëve.

Kështu, në “Selman Stërmasi”, “Bardheblutë” e Julian Ahmatajt kanë bërë detyrën ndaj dibranëve, të Korabit, duke i mundur këta të fundit, me rezultatin e pastër 3 me 0. Fitorja mund të thuhet që u “vulos”, që në pjesën e parë të sfidës falë golave të Bruno Lulajt e Liridon Latifit, në minutat 28’ e 39’, ndërsa rezultatin e përgjithshëm e “hipotekoi” kapiteni, Erion Hoxhallari, në minutën e 47’.

Fitore të thellë pati edhe në “Areën e Demave”, me “Demat e Kuq” të Orges Shehit, që mundën me rezultatin e thellë, 3 me 1, fierakët e Apolonisë. Për fitoren e Partizanit menduan Skuka, i cili shënon golin e tij të parë pas rikthimit, Hadroj e Mensah, të cilët gjetën rrjetën në minutat 56’, 65’ e 87’, ndërsa për miqtë fierakë golin e “nderit” e Romeo Harizaj, në minutën e 55’-të të përballjes.

Pastër fituan edhe “Rrogozhinasit” e Egnatias, me djemtë e Edlir Tetovës, ku në “Arena Egnatia” mundën Lushnjën, me rezultatin, 2 me 0, pas golit të brazilianit Fernando, në sekondën e fundit të pjesës së parë dhe “bomberit”, Mario Gjata, i cili çoi topin në rrjetë, në minutën e 83’-të, për të shënuar kështu në përballjen e dytë radhazi.

Në përballje të tjera, “Shijakasit” e Erzenit mundën me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, “Ballshiotët” e Bylisit, pas golave të Amir Kahrimanovic e Redon Mihanës, në minutat 23’ e 28’, ndërsa për miqtë shënoi Kibe në të 75’-tën. “Verilindorët” e Kukësit mposhtën “Verdheblutë” e Elbasanit, falë një goli, të Rashitit, në “frymën e fundit” të sfidës, ndërsa “Bardhezinjtë” e Laçit mposhtën me rezultatin minimal, 1 me 0, “Nëndetësen Blu” të Dinamos falë një autogoli të të sapo afruarit në merkato, Stivian Janku.

Kështu, në raundin e radhës kalojnë skuadrat e Egnatias, Erzenit, Kukësit, Laçit, Partizanit e Tiranës, ndërsa për të plotësuar 8-shen çerek-finaliste do të duhet përfundimi i sfidave, të orës 17:00, Vllaznia-Flamurtari e Teuta-Skënderbeu, ku në rast fitoreje të “Kuqebluve” në “Loro Boriçi”, trofeu i Kupës së Shqipërisë qëndron në Kategorinë Superiore. /i.m /abcnews.al 

Rezultatet e plota: 

Egnatia 2 – 0 Lushnja
Erzeni 2 – 1 Bylis
Kukës 1 – 0 AF Elbasani
Laçi 1 – 0 Dinamo
Partizani 3 – 1 Apolonia
Tirana 3 – 0 Korabi

Për t’u luajtur:

Vllaznia – Flamurtari   ora 17:00
Teuta – Skënderbeu     ora 17:00

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!