Ditën e sotme, në orën 18:00, do të luhen dy sfidat e para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë mes Tirana-Teuta dhe Vllaznia-Egnatia.
Bardheblutë e kryeqytetit shihen favoritë kundër ekipit durrsak. Tirana vjen në këtë fazë pasi eliminoi Kastriotin në çerekfinale, duke e mposhtur 1-4 dhe duke barazuar 2-2. Nga ana tjetër, Teuta eliminoi Kukësin, me një fitore 2-0 dhe me një humbje 1-2.
Duke parë formën aktuale të dy ekipeve, kryeqytetasit shihen si favorit në këtë përballje. Në pesë ndeshjet e fundit, Tirana ka arritur të regjistrojë 1 barazim dhe katër fitore radhazi. Gjithashtu, Tirana ndodhet aktualisht në vendin e parë në tabelën e Superligës me një moral të ngritur dhe psikologji të qetë.
Teuta nga ana tjetër ndodhet në vendin e gjashtë me 38 pikë në kampionat. Në 5 ndeshjet e fundit, klubi durrsak ka regjistruar 1 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.
Sfida tjetër e gjysmëfinaleve do të jetë ajo mes Vllaznisë dhe Egnatias e cila do të luhet në “Loro Boriçi”, në Shkodër. Në këtë turne, Vllaznia vjen në këtë ndeshje me “gjoksin përpara” pasi eliminoi fazën e kaluar Partizanin, duke fituar 3-0 dhe duke humbur tjetrën me shifrat 1-0. Egnatia gjithashtu futet sot në fushë e karikuar, pasi në fazën e kaluar eliminoio Laçin me shifrat 3-0 dhe me një barazim 0-0.
Në fakt, forma aktuale e këtyre dy skuadrave është pothuajse e njëjtë. Në pesë ndeshjet e fundit, Vllaznia ka mundur të regjistrojë 1 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Rrogozhinasit nga ana tjetër kanë mundur të regjistrojnë në 5 ndeshjet e fundit 1 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje.
Gjithsesi, kjo ndeshje parashikohet të jetë shumë e fortë pasi edhe në tabelën e Superligës janë duke ndjekur njëra-tjetrën këmba këmbës për një vend në kompeticionet evropiane sezonin e ardshëm. Aktualisht, Egnatia ndodhet në vendin e tretë të tabelës së ligës kryesore shqiptare me 43 pikë, ndërsa Vllaznia në vendin e katërt me 42 pikë./ h.ll/abcnews.al